VMRO-DPMNE rikthen retorikën e Gruevskit

ASH: Thirrjet për minorizim të shqiptarëve, na kujtojnë retorikën e regjimit të kaluar

VMRO – DPMNE ka rikthyer retorikën e ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Sikurse edhe Gruevski në vitin 2015, shtatë vite më vonë, funksionarë të lartë të partisë, sërish kërkojnë që në zgjedhjet e ardhshme të fitojnë më së paku 61 deputetë, në mënyrë që, siç thonë, të mos përballen me shantazhe nga të tjerët.  Nënkryetari i opozitës maqedonase, Aleksandar Nikollovskit, në një intervistë gjatë emisionin 360 shkallë, deklaroi se kjo gjë është e nevojshme “që të mos pësojnë shantazhe dhe të mos varen nga interesat e dikujt personale apo partiake”. Ai është i bindur se pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, VMRO do t’i ketë numrat për të formuar vet qeveri. I pyetur nëse do të formonin qeveri pa partner shqiptar, ai tha se atë do ta zgjedhin pas zgjedhjeve, në bazë të përcaktimeve të përbashkëta të programit.

Nga partia opozitare Aleanca për Shqiptarët kanë dënuar deklaratat e tilla, duke thënë se ato nuk janë në frymën e demokracisë .

“Deklaratat e tilla nuk janë në frymën e demokracisë konsensuale, të ndërtuar me shumë sakrificë nga qytetarët e vendit dhe investim dy dekadësh nga partnerët tonë strategjik. Thirrjet e tilla për minorizim të faktorit politik shqiptar na kujtojnë retorikën e një regjimi i cili i ka bërë shumë dëm bashkëjetesës paqësore të komuniteteve dhe orientimit pro perëndimor të vendit”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Në një përgjigje për Klan Maqedoni, nga kjo parti kanë thënë se, qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme, do t’i përmbahet vlerave demokratike.

“Realiteti i sotëm ku shqiptarët janë zyrtarisht 31.5% e popullatës dhe vendi është anëtar i NATO-s, ndërsa pret të hapë negociatat për BE, është i papërputhshëm me retorika të tilla që i takojnë së kaluarës. Qeveria që do dalë nga zgjedhjet e ardhshme do të jetë e bazuar në vlerat evropiane të demokracisë konsensuale dhe mbi respektimin e interesit dhe fuqisë politike të të gjitha komuniteteve që e përbëjnë Maqedoninë e Veriut”, deklaruan nga ASH.

Ndërkohë, partitë e tjera shqiptare nuk kanë komentuar këto deklarata.

Kujtojmë se, ish kryeministri Nikolla Gruevski, në vitin 2015 kërkonte që partia të fitojë 63 deputetët, duke thënë se nëse marrin më pak, do të ketë kantonizim dhe federalizim të shtetit do të zbatohet dygjuhësi më gjithë territorin e vendit dhe maqedonasit do të detyrohet që të mësojnë gjuhën shqipe./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share