Qeveria zvicerane ka vendosur që t’ua zgjasë mandatin ushtarëve të saj si pjesë e KFOR-it në Kosovë edhe për tre vjet.
Qeveria la mundësinë që gjatë mandatit të mund të rrisë numrin e ushtarëve për maksimum 30 ushtarë shtesë, në mënyrë që ushtria t’i përgjigjet sfidave shtesë të KFOR-it.
Vendimi i qeverisë, duke qenë se bëhet fjalë për pjesëmarrjen e armatosur në mision dhe meqenëse zgjat më shumë se tre javë dhe përfshin më shumë se 100 pjesëtarë të ushtrisë, duhet të miratohet nga kuvendi.
Ushtria zvicerane ka marrë pjesë në misionin e KFOR-it në Kosovë që nga tetori i vitit 1999. Deri më tani, numri maksimal i pjesëtarëve të ushtrisë zvicerane ishte 195.
Në njoftimin e qeverisë theksohet se gjendja aktuale në Kosovë është e qëndrueshme, por e brishtë, prandaj misioni i KFOR-it duhet të vazhdojë deri në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Përveç kësaj, thuhet në njoftim, agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka rritur rreziqet e sigurisë në Evropë, përfshirë Ballkanin Perëndimor.
Sipas vendimit të qeverisë, mandati për pjesëmarrjen e ushtrisë zvicerane në KFOR duhet të vazhdohet deri më 31 dhjetor 2026. Në verën e vitit 2020, Kuvendi e zgjati mandatin deri më 31 dhjetor 2023.