Berisha: Protestë më 6 Dhjetor në orën 12:00

Protesta e paralajmëruar e opozitës më datë 6 Dhjetor, të njëjtën ditë kur në Shqipëri mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor, do të mbahet në orën 12:00. Lajmin e dha kreu i demokratëve Sali Berisha gjatë një takimi me krerët e degëve të Tiranës.

“Ne do të jemi në shesh, do të jemi në shesh kësaj radhe më të mobilizuar se kurrë. Sepse ditë pune është, sepse ora 12:00 është, por kur të thërret koha nuk ka asnjë apel. Kohës i përgjigjesh gjithnjë pa apel. Ndaj dhe duhet t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës të gjithë biznesmenëve të Tiranës, të martën në 12:00 të gjithë në bulevard. U bëj thirrje biznesmenëve, në rast se nuk vini vetë, të mos pengoni punonjësit tuaj se kjo është një betejë ndër më të rëndësishmet. E themi këtu, kjo do jetë një protestë paqësore. Ne i dimë detyrimet që kemi për sigurinë, për mikpritjen dhe këto nuk i konfondojmë me asnjë lloj rrethane, por zëri ynë do jetë i pranishëm aty”.

Berisha u shpreh i bindur se kjo protestë do të mirëpritet në mbarë opinionin europian dhe botëror.

“Edi Rama de fakto ka shkatërruar dhe shkatërron këtu vlerat Europiane. Edi Rama është absolutisht përgjegjës penalisht për vepra që shkojnë në dhjetëra e dhjetëra vjeçarë që meritojnë dënime. A mund ta lejë opozita shqiptare pa paraqitur atë ditë me vërtetësi të gjithë problematikën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kurrë nuk mund ta lejë. Unë kam bindjen se protesta jonë do të mirëpritet në mbarë opinionin Europian dhe botëror. Dhe nga liderat e këtyre demokracive, që për arsyet e tyre janë të mirëseardhur në Shqipëri. Ne e kemi përshëndetur vendimin e tyre për të ardhur në Shqipëri”.

“Kjo përshëndetje e jona nuk ka asnjë lidhje me mikëpritësin e tyre, Edi Ramën. Kjo përshëndetje e jona, për një nderim që u bëjnë qytetarëve shqiptarë me praninë e tyre dhe mundësinë që i japin opozitës shqiptare për të paraqitur para tyre dhe mbarë botës problematikat e mëdha që sot Shqipëria. Vota e lirë, e kanë marrë patronazhistët. Asnjë nga këta lider nuk është zgjedhur me patronazhistë. Asnjë prej tyre në jetën e tij, nuk u ka bërë thirrje policëve, dilni e mblidhni vota. Asnjë prej tyre nuk ka ndërtuar në shtetin e tyre, narkoshtetin që ka bërë Edi Rama. Asnjë prej tyre nuk ka shkelmuar interesat kombëtare të vendit të tij, siç bën Edi Rama. Asnjë prej tyre nuk ka vrarë shpresën dhe ti shndërrojë në popull gomonesh, të tejkalojë, Sirinë dhe Afganistanin siç jemi ne sot. Të eksportojë krim dhe vetëm krim, më shumë se çdo gjë, krim dhe drogë”.

“Pra protesta jonë është një mesazh i fuqishëm i shqiptarëve që ne nuk pajtohemi me këto. Ne qëndrojmë për vlerat evropiane, për një Shqipëri të standardeve demokratike, të votës së lirë, të dinjitetit të qytetarëve”, u shpreh kryedemokrati.

Berisha po ashtu u shpreh se 6 Dhjetori do të jetë një protestë paqësore dhe se beteja vazhdon me protesta të tjera.

“Ky përpiqet që ne të mos jemi. Por ne do të jemi datën 6 në bulevard. Ky kërkon të na zhdukë ne, por këtë nuk ja pranojmë kurrë atij. Ai do të përballet me të gjitha pasojat. E them edhe njëherë, data 6 do të jetë protestë paqësore. Data 6 do të jetë një betejë, e cila vazhdon. Ky kalon nga superskandali në superskandal. Ky nuk njeh kufij, normë, parim. A e shihni betejën që zhvillohet për skapin dhe SPAK-un. Çfarë vendi jemi ne. Ne vetëm vendi i lirë nuk jemi. Ne jemi njerëz me ideale, do ti kthejmë dinjitetin shqiptarëve. Ata që mendojnë se mund të na asgjësojnë ne, do të përballen me të gjitha pasojat e kësaj përpjekje. Kjo është një protestë paqësore, por beteja vazhdon me protesta të tjera”./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share