Në fabrikën më të madhe të iPhone – Foxconn në qytetin kinez Zhengzhou kanë shpërthyer protesta. Sipas pamjeve të shpërndara në internet, tregohen punonjës që marshojnë, ndërsa disa njerëz përballen me policinë. Ata që e transmetuan drejtpërdrejt skenën kanë pretenduar se punëtorët ishin dhunuar nga policia.
Muajin e kaluar, një rritje e rasteve të Covid bëri që kompania të ndërpriste punën, duke bërë që disa punëtorë të kthehen në shtëpi. Kompania më pas rekrutoi punëtorë të rinj me premtimin e shpërblimeve bujare. Pamjet e shpërndara gjerësisht tregonin punëtorët që bërtisnin: “Mbroni të drejtat tona! Mbroni të drejtat tona!”
Punëtorët e tjerë u panë duke thyer kamerat e vëzhgimit dhe xhamat me shkopinj. Po ashtu në disa pamje të tjera, duken punëtorët teksa ankoheshin për ushqimin që u ishte dhënë dhe thoshin se nuk kishin marrë bonuse siç u ishin premtuar.
“Ata ndryshuan kontratën që ne të mos mund të merrnim shpërblimin siç kishin premtuar. Ata na karantinojnë, por nuk japin ushqim. Nëse ata nuk adresojnë nevojat tona, ne do të vazhdojmë të luftojmë, “ tha një punonjës i kompanisë.
Ai gjithashtu pretendoi se kishte parë një burrë të plagosur rëndë për të cilin tha se mund të vdiste pas dhunimit nga policia. Një punonjës, i cili kohët e fundit nisi të punonte në fabrikën e Zhengzhou tha gjithashtu se punëtorët po protestonin sepse Foxconn kishte “ndryshuar kontratën që kishin premtuar”.
“Ata punëtorë që po protestojnë duan të marrin një shpërblim dhe të kthehen në shtëpi”, tha një prej anëtarve të stafit.
Në lidhje me protestën, kompania Foxconn ende nuk ka komentuar.
Në fund të muajit Tetor, shumë punëtorë u larguan nga kompania për shkak të rritjes së rasteve të Covid.
Në fillim të këtij muaji, Apple deklaroi se do të ketë dërgesa më të reduktuara të modeleve të iPhone 14 për shkak të ndërprerjes së prodhimit në Zhengzhou./tvklan.al