Qeveria e Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se “me gjasë nesër do të ketë një takim në Bruksel” mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Kështu ka thënë më 19 Nëntor, zëdhënësi i Qeverisë sw Kosovws, Përparim Kryeziu, duke shtuar se do ta njoftojnë publikun kur të konfirmohet ky takim.
Pavarësisht se ende nuk është bërë publike agjenda, takimi pritet të përqendrohet në uljen e tensioneve mes dy vendeve.
Më 18 Nëntor zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kanë ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një takim për të gjetur zgjidhje për targat ilegale serbe.
“Ne i kemi ftuar të dyja palët me urgjencë në Bruksel për të gjetur zgjidhje evropiane, një zgjidhje evropiane për situatën aktuale, e cila është ndër më seriozet prej vitit 2013 dhe ky është qëllimi që t’i kemi në Bruksel për të diskutuar me ta zgjidhjen”, ka thënë Stano.
Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimit të planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.
Faza e parë e planit për targa përfshiu qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme.
Sipas këtij plani, më 21 nëntor nis faza e dytë e cila parasheh gjoba prej 150 euro, për të gjithë vozitësit e makinave me targa ilegale serbe.
Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 Prill të vitit 2023.
Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që nga paslufta, më 1999.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Qeverisë që të mos nisë zbatimin e fazës së dytë nga 21 Nëntori.
Shumica e serbëve në veri kundërshtojnë targat që i lëshon Republika e Kosovës, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Në shenjë kundërshtimi lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, nga 5 nëntor serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e këtyre komunave.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur 18 Dhjetorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve në këto komuna të banuara me shumicë serbe.
Por, derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nisur përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në komunat në veri të Kosovës, Lista Serbe ka thënë se kjo parti dhe qytetarët që e mbështesin atë, nuk do të jenë pjesë e këtij procesi zgjedhor.
Serbët në veri ishin bërë pjesë e institucioneve të Kosovës pas marrëveshjes së parë që kanë arritur dy vendet për normalizimin e marrëdhënieve, në vitin 2013.
Partnerët ndërkombëtarë po ashtu i kanë bërë thirrje Kosovës që të të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Më 2015, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.
Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Pritjet janë që ato të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Por, pavarësisht disa marrëveshjeve të arritura, qëndrimet e dy palëve mbeten larg. /REL