Kremlini ka ngritur akuza ndaj Kievit për ndryshimin e objektivave në lidhje me bisedimet e mundshme të paqes
Forcat ruse vazhduan një breshëri sulmesh me predha dhe raketa në rajone të ndryshme të Ukrainës, shumë prej të cilave goditën infrastrukturën e energjisë, ndërsa luftimet e ashpra vijojnë në rajonet Luhansk dhe Donetsk në lindje të vendit.
Ndërsa bora e parë ra në Kiev, autoritetet po punojnë për të rivendosur energjinë në mbarë vendin pasi Rusia në fillim të kësaj jave lëshoi atë që Ukraina tha se ishte bombardimi më i rëndë i infrastrukturës civile të luftës.
Rreth 10 milionë njerëz janë pa energji, tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy në një fjalim video, në një vend me një popullsi prej rreth 44 milionë banorësh të paraluftës. Autoritetet në disa vende urdhëruan ndërprerje të detyruara emergjente. Forcat ukrainase në 24 orët e fundit rrëzuan pesë raketa të lëshuara nga ajri dhe pesë drone Shahed-136 të prodhimit iranian. Papa Françesku deklaroi se Vatikani ishte i gatshëm të bënte çdo gjë të mundshme për të ndërmjetësuar dhe për t’i dhënë fund konfliktit.
“Ne të gjithë duhet të jemi paqësorë. Dëshira për paqe, jo vetëm një armëpushim që mund të shërbejë vetëm për riarmatim. Paqe e vërtetë, e cila është fryt i dialogut”, tha ai për të përditshmen italiane “La Stampa”.
Hetuesit në territorin e rihapur në zonën e Khersonit zbuluan 63 trupa me shenja torture pasi forcat ruse u larguan. Komisioneri për të drejtat e njeriut në parlamentin ukrainas, Dmytro Lubinets, publikoi një video të asaj që ai tha se ishte një dhomë torturash e përdorur nga forcat ruse në rajonin Kherson, duke përfshirë një dhomë të vogël në të cilën mbaheshin deri në 25 persona në të njëjtën kohë.
Kremlini ka ngritur akuza ndaj Kievit për ndryshimin e objektivave në lidhje me bisedimet e mundshme të paqes. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Kremlini nuk mund të imagjinonte përfshirjen në negociata publike dhe i bëri thirrje Uashingtonit që ta shtyjë Kievin drejt diplomacisë. Ndërkaq bordi i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, Agjencisë Ndërkombëtare e Energjisë Atomike i kërkoi përsëri Rusisë që të tërhiqet menjëherë nga Zaporizhzhia, centrali më i madh atomik në Evropë.
Klan News