“Pjesa tjetër do ta ndjekin në Televizionin Klan, pa pagesë“
Teksa na ndajnë disa minuta nga nisja e miqësores Shqipëri-Itali, atmosfera në stadiumin “Air Albania” duket e zjarrtë. Miqësorja e luksit do të jetë një mundësi argëtimi për të gjithë të pranishmit në stadium, por edhe për të gjithë shqiptarët që do ta ndjekin nëpërmjet ekranit të Tv Klan.
Në stadiumin “Air Albania” është gazetari i Tv Klan Erion Todhe, i cili përmes një lidhje direkte me edicionin e lajmeve ka dhënë më shumë detaje se si paraqitet atmosfera para fillimit të ndeshjes.
Me plot 22 mijë e 500 njerëz që pritet të jenë në stadium sonte, kjo miqësore po pritet me padurim që të nisë.
Reis Çiço: Cila është atmosfera?
Erion Todhe: Sapo kanë dalë në fushë futbollistët e Kombëtares dhe sigurisht këta tifozë që kanë ardhur deri tani, po i përshëndesin në mënyrën e tyre. Lojtarët kanë hyrë sa për të bërë atë shkeljen e parë të terrenit dhe më pas do të kthehen në dhomat e zhveshjes për t’u rikthyer përsëri, për të bërë nxemjen e zakonshme. Stadiumi po mbushet. Stadiumi po mbushet, siç e lëmë dhe ne shqiptarët në momentin e fundit për të ardhur në stadium, gjithsesi 22 mijë e 500 persona do të jenë sonte në stadium, pjesa tjetër do ta ndjekin në Televizionin Klan, pa pagesë.
Reis Çiço: Biletat janë shitur. Unë kisha një pyetje: Pse gjithë ky interesim kur kjo është thjesht një ndeshje miqësore?
Erion Todhe: Sepse është Kombëtarja Italiane dhe ne kemi këto lidhjet historike me Italinë, sepse ne e dashurojmë Italinë, si në veshje, si në futboll, si në art, si në muzikë dhe si në çdo gjë dhe prandaj është ky interesim i madh në stadium. I dëgjoni vetë besoj edhe këto pak që janë sepse nuk është mbushur akoma stadiumi, janë të ekzaltuar për të parë jo vetëm Kombëtaren Shqiptare, por besoj se më shumë shumti edhe për Kombëtaren Italine. Është hera e parë që vjen Kombëtarja Italiane këtu në Tiranë, në stadiumin Air Albania që quhet tashmë ish-Qemal Stafa.
Reis Çiço: Në këtë takim që Reja e vlerësoi shumë në konferencën për shtyp, ai ka zgjedhur lojtarët e fortë, titullarë që luajnë jashtë dhe nuk ka përfshirë këta që luajnë në kampionatin tonë.
Erion Todhe: Arsyeja është se kam përshtypjen se trajneri Reja e nuhat vetë se është në ndeshjet e tij të fundit në drejtimin e Kombëtares Shqiptare dhe sigurisht që do të dëshirojë të lërë një shije të mirë, si tek shqiptarët edhe tek italianët sepse gjithsesi ai përballet me kombëtaren e shtetit të tij, të zemrës së tij. Megjithëse sot ai do të bëjë tifo për Kombëtaren Shqiptare. Megjithëse ai e pranoi në konferencën për shtyp që do të emocionohet kur të dëgjojë të 2 himnet. Të vazhdojnë të na ndjekin edhe pas lajmeve, me emisionin para ndeshjes së kombëtares dhe me ndeshjen që besoj do të jetë e zjarrtë.
Reis Çiço: Kujtojmë se kjo ndeshje do të transmetohet drejtpërdrejtë në Tv Klan./tvklan.al