Ish presidenti amerikan kërkon të sfidojë historinë

Trump shpall kandidaturën për President në 2024

Pavarësisht rezultateve të dobta në zgjedhjet e mes mandatit ish presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur kandidaturën e tij për president në 2024. Trump kërkon që ta bëjë Amerikën të lavdishme si dikur edhe pse kontrolli i tij në Partinë Republikanë po zbehet.

Ashtu sikur ishte e parashikuar ish presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për president në 2024.

Ai mbajti një fjalim në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida një javë pas zgjedhjeve të mes mandatit, në të cilat republikanët nuk arritën të fitonin aq shumë vende në Kongres sa kishin shpresuar.

“Pavarësisht rezultatit në Senat, ne nuk mund të humbasim shpresën dhe të gjithë duhet të punojmë shumë. Por ne gjithmonë e kemi ditur se ky nuk ishte fundi është vetëm fillimi i luftës sonë për të shpëtuar ëndrrën amerikane. Ne do ta bëjmë Amerikën të lavdishme përsëri. Faleminderit shumë”, deklaroi Trump.

Partia Republikane e Trumpit nuk arriti rezultatet e pritshme në këto zgjedhje dhe shumë prej kandidatëve që ai mbështeti, nuk arritën të fitonin. Republikanët janë gjithashtu në prag të marrjes së shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, megjithëse do të jetë një shumicë e ngushtë. Aktulisht demokratët kanë 209 vota dhe republikanët 217.

Votuesit në zgjedhjet e mes mandatit refuzuan të zgjidhnin kandidatët që mbështetën pretendimet e pabaza të Trump për mashtrime zgjedhore në vitin 2020, dhe shumë nga kandidaturat që shpalosi Trump gjatë fushatës humbën. Javën e kaluar Trump sulmoi Guvernatorin e Floridës Ron DeSantis i cili gjithashtu pritet të kandidojë në 2024.

De Santis korri një fitore të jashtëzakonshme në Florida një fitore e cila nuk u prit mirë nga ish presidenti amerikan Trump. Trump ka paralajmëruar guvernatorin e Floridës, të mos kandidojë për president në vitin 2024, duke thënë se një gjë e tillë do të dëmtonte Partinë Republikane. Ai ka kërcënuar gjithashtu se do të nxjerrë informacione jo të këndshme për 44-vjeçarin, pa dhënë detaje.

Gjatë katër vjetëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump bëri histori si presidenti i parë që u akuzua dy herë formalisht. Herën e parë, ai u akuzua për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit amerikan, por më pas u lirua nga këto akuza. Herën e dytë, akuzat kishin të bënin me sulmin e mbështetësve të tij kundër Kongresit amerikan, më 6 janar, 2021, në përpjekje për të penguar tranzicionin e pushtetit. Hetimet për këtë ngjarje janë duke vazhduar.

Përgatiti: Livia Kallfa

Lexo gjithashtu
Total
0
Share