Filloi gjykimi për rastin “BESA TRANS”

PRONARI I KOMPANISË: NUK NDJEHEM FAJTOR

Rreth një viti pas aksidentin tragjik në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona, sot në Gjykatën Penale – Shkup, filloi gjykimi për “Besa Trans-in”. Në këtë rast, të akuzuar janë pronari i kompanisë “Besa Trans”, Bekim Haxhiu dhe kompania si person juridik, të cilët ngarkohen me veprën penale “falsifikim i dokumenteve”. Haxhiu para gjykatës ka thënë se nuk ndjehet fajtorë për akuzën me të cilën ngarkohet.

Në aktakuzën e propozuar nga prokurori publik, Vladimir Millosheski, thuhet se pronari i kompanisë përmes një dokumenti të falsifikuar dhe duke përdorur shoferët e punësuar në kompani ka falsifikuar licencën dhe ka kryer shërbime transportuese në kundërshtim me ligjin. Autobusi ka kaluar kufirin shtetëror me licencë të rrejshme 20 herë.

“I akuzuari si drejtues i kompanisë duke përdorë mënyrën e njëjtë të veprimit, mundësitë e njëjta dhe në rrethana të ngjashme, përmes shoferëve të cilët kanë vozitur autobusët e kompanisë, ka përdorur si të vërtetë dokument të falsifikuar- Certifikatë nga licenca për transport publik në komunikacionin ndërkombëtarë. Një dokument i tillë për autobusin në fjalë nuk është lëshuar nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ndërsa drejtuesi (pronari) i kompanisë ka përgatitur dokument të rremë të cilët ia ka dhënë shoferëve të cilët më pas me një dokument të tillë e kanë kaluar kufirin shtetërorë. Gjatë procedurës, prokurori kompetent publik ka siguruar dëshmi se, në periudhën prej 10.01.2021 deri më 21.11.2021 autobusi 20 herë ka kaluar kufirin e shtetit në atë mënyrë në pika të ndryshme kufitare” – thonë nga Prokuroria.

Prokurori ka paraqitur para gjykatës detajet e datës, kohës, relacionet dhe pikës kufitare, të kalimit të autobusit me licencë të rrejshme. Sipas dëshmisë së përfaqësuesit të Ministrisë së Transportit, kompetent për dhënien e licencave, kompania “Besa trans” ka pasur licenca për transport ndërkombëtar për pesë autobusë, por jo edhe për autobusin e aksidentuar. Nga ana tjetër, pala mbrojtëse ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se, nuk është e vërtetë që është përdorur dokument i falsifikuar dhe se është bërë dokument i rrejshëm.

Kujtojmë se, aksidenti tragjik ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar, në orët e mëngjesit, ku autobusi i “Besa Transit” kishte goditur mburojën në autostradën “Struma”. Gjatë aksidentit 45 udhëtarë humbën jetën, mes tyre edhe 12 fëmijë kurse shtatë të tjerë u lënduan. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share