AVANCIMI I BASHKËPUNIMIT NË MË SHUMË FUSHA
Dy delegacionet, nga Maqedonia e Veriut dhe nga Shqipëria, sot kanë nënshkruar mbi 20 marrëveshje për avancimin e bashkëpunimit në më shumë fusha. Kanë nënshkruar Ministrat e Punëve të Jashtme dhe për Çështje Evropiane, të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes.
Thellimin e bashkëpunimit në njëzet fusha përfaqësuesit e qeverive të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut sot e vulosën me nënshkrimin e njëzet marrëveshjeve dhe memorandumeve. Kanë nënshkruar Ministrat për Çështje Evropiane, të Punëve të Jashtme, të Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme. Në mesin e tyre edhe premtimi të cilin Kryeministri Kovaçevski ua ka dhënë krerëve të Kishës Ortodokse në vend – për kthimin e 21 ikonave të cilat në të kaluarën janë vjedhur dhe gjenden në Shqipërinë fqinje, por edhe për bashkëpunimin energjetik, nevojë e imponuar nga kriza aktuale.
“Të sigurojmë burime stabile dhe të qëndrueshme të energjisë, kemi nënshkruar memorandum për bashkëpunim në sektorin e energjisë. Me këtë, krijuam kornizë për përgatitje dhe realizim të projekteve të përbashkëta energjetike, të cilat kryesisht lidhen me infrastrukturën për gaz natyror dhe për energjitë e rinovueshme. Ne sot, por edhe në periudhën që vjen kemi mundësi unike ta avancojmë transformimin energjetik të cilin e kemi filluar” – tha Kovaçevski.
Janë bërë edhe hapa për lidhjen e shumëparalajmëruar infrastrukturore përgjatë Korridorit 8, nevojë dekadëshe e qytetarëve dhe bizneseve në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, por edhe projekt për hapjen e të ashtuquajturit “porti i thatë” në Strugë, si dhe vendkalim i ri kufitar në mes dy vendeve.
“Kemi finalizuar 21 akte, të arritura në një proces intensiv si pjesë organike e qeverive tona, të cilat janë në komunikim të vazhdueshëm. Në të njëjtën kohë kemi arritur marrëveshje edhe për tri iniciativa të propozuara nga Zv/Kryeministri i parë Artan Grubi të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me Korridorin 8, portin e thatë në Strugë dhe hapjen e vendkalimin kufitar Pogradec-Strugë” – tha Edi Rama
Shkëmbimi tregtar në mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është në rritje, gjë që të dy kryeministrat e vlerësuan si potencial për avancimin e bashkëpunimit. /KlanMacedonia/
PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA