Rama: Dakordësimi i 3 nismave Shqipëri-RMV, me rëndësi strategjike

Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri Edi Rama e cilësoi tejet produktive mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive në të cilën u firmosën 21 marrëveshje dhe memorandume. Përpos tyre, Rama veçoi edhe 3 nismat e dakordësuara që kanë të bëjnë me ndërtimin e infrastrukturës së Korridorit të 8, ndërtimin e një porti të thatë në Strugë dhe hapjen e vendkalimit të ri kufitar, Strugë-Pogradec. Ai tha se këto nisma janë me rëndësi strategjike.

“Kemi finalizuar 21 akte të dakordësuara në një proces ndërveprimi intensiv si pjesë tanimë organike e punës së qeverive tona që janë ndërveprim të vazhdueshëm me njëra-tjetrën, por njëkohësisht kemi dakordësuar edhe 3 nisma, të propozuara nga zv/kryeministri i parë, Artan Grubi që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me ndërtimin e infrastrukturës së Korridorit të 8, ndërtimin e një porti të thatë në Strugë dhe hapjen e vendkalimit të ri kufitar, Strugë-Pogradec. Të treja këto me një rëndësi strategjike, të diskutuara më parë. Nga ana tjetër kemi rënë dakord sa i takon projektit paraprak të portit të thatë të Strugës ta marrë përsipër qeveria shqiptare, në kuadër të marrëveshjes që ka kompaninë e mirënjohur holandeze, e cila projektuar portin e ri komercial dhe të kombinuar me zonën ushtarake të Durrësit si dhe portin e thatë të Prishtinës. Kështu besoj ne krijojmë një infrastrukturë komplekse në funksion të rritjes së volumit të ndërveprimit mes shteteve tona, që ka qenë dhe qëllimi parësor dhe mbetet dhe qëllim parësor i nismës së Ballkanit të Hapur, por po ashtu dhe i Procesit të Berlinit”./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share