Me ndihmën prej 100 milionë eurove nga BE, Maqedonia ka hyrë në tregun e përbashkët energjetik me vendet tjera tê BE-së, vlerëson kryeministri Kovaçevski. Gjatë një tribune partiake në Gjevgjeli, Kovaçevski akuzoi kreun e opozitës maqedonase, Mickoskin, për bllokim të zgjidhjes ligjore edhe për 100 milionë euro tjera për energjinë elektrike.
“Gjithçka që tha Mickoski gjatë kësaj krize doli e gabuar. Ai tha se nuk kishte qymyr, do të kishte një ose dy ditë. Kanë kaluar më shumë se 400 ditë nga ajo gënjeshtër dhe jo vetëm që ka qymyr të mjaftueshëm për objektet energjetike, por është rritur prodhimi edhe me 25 për qind. Ai tha se nuk ka pasur energji elektrike të mjaftueshme nga objektet vendore dhe shohim se 100 për qind e nevojave për energji elektrike të kompanive të vogla dhe amvisërive mbulohen nga prodhimi vendas. Kaq di Mickoski për energjinë, ai nuk di as ekonomi.
Kovaçevski e quajti Mickoskin si “peng i Levicës”, ndërsa theksoi se kanë bërë mirë që nuk e kanë dëgjuar.
“Në Pallatin e Bardhë, ata dinë vetëm për dy operacione matematikore. Njëri është marrja e parave të qytetarëve dhe tjetri ndarja e parave të popullit mes tyre. Nëse do të kishim dëgjuar Levicën dhe pengun e tyre Mickoskin, do të kishim përfunduar në një rënie të lirë si disa vende evropiane”, tha Kovaçevski./KlanMacedonia