Forumi i Paqes në Paris, Kurti: Jo Asociacionit mbi baza etnike

Dialogu Kosovë-Serbi s’ecën përpara pa njohjen reciproke tha Albin Kurti në një intervistë për Deutsche Welle-n. Sipas tij situata aktuale në Veri nxitet nga Beogradi për të mbuluar refuzimin e propozimit franko-gjerman.

DW: Z.Kurti, cila është agjenda juaj gjatë kësaj vizite në Paris?

Albin Kurti: Dje u takova me Presidentin Macron. U prita prej tij në Pallatin Elysee, për herë të tretë brenda dy viteve. Sot u takova me Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, njëkohësisht Zëvendës Presidentin e Bashkimi Evropian, zt. Josep Borell, së bashku me të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Gjatë “Forumit të Paqes së Parisit” do të mbaj një fjalimin në panelin ku do të diskutohet rreth gjeopolitikës në Evropë dhe efekteve të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

DW: A do ta takoni z.Vuçiç?

Albin Kurti: Unë jam gati për takim, por kjo varet nga ndërmjetësit tanë, pra varet nga Bashkimi Europian nëse ky takim do të zhvillohet ose jo. Por në përgjithësi, që nga 18 gushti, ne jemi takuar për dy çështje. E para, një kornizë e përgjithshme për marrëveshjen dhe së dyti, për çështjet aktuale.

DW: Pra, diskutimi mbi propozimin franko-gjerman. Çfarë do të bëni ju, për të rënë dakord me Serbinë? Për shembull, a jeni i gatshëm që të pranoni Asociacionin e komunave serbe?

Albin Kurti: Propozimi franko-gjerman, që në thelb është propozimi i Brukselit, i mbështetur së tepërmi nga Berlini dhe Parisi, por edhe nga Uashingtoni, është një bazë e mirë për vijimin e diskutimeve për marrëveshjen përfundimtare, që do të thotë normalizim i plotë mes marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Do të ketë edhe detaje të tjera të kësaj marrëveshjeje, por kryesorja duhet të jetë njohja reciproke. Në këtë propozim, parashikohen gjithashtu edhe diskutimet rreth të drejtave të pakicave, dhe në këtë pikë Beogradi mund të shprehë kërkesën e tij për temën që ata e quajnë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, e cila është një formë për të adresuar çështjen e pakicës serbe.

Nga ana tjetër, Kosova ka një kushtetutë shumë demokratike dhe progressive. Kapitulli i tretë, nga Nenet 57-62, parashikojnë një gamë të gjerë të drejtash për pakicat në Kosovë, sepse ne nuk kemi vetëm një pakicë. Shqiptarët e Kosovës përbëjnë 92% të popullsisë, dhe rreth 8% përbëhet nga pakicat. Pakica serbe, por edhe ato boshnjake, rome, egjiptiane, ashkalinjtë dhe goranët. Pra, ne kemi shumë pakica dhe mandate në parlament për këto pakica. Gjithsej ka 11 komuna me shumicë nga këtopakica, sipas propozimit të Martti Ahtissarit. Ka një mundësi për bashkëpunim ndërkomunal, por jo për asociacion mbi baza etnike. Unë nuk e kundërshtoj Asociacionin e komunave. Aktualisht, Kosova ka një asociacion komunash, 38 në total. Por unë nuk mund ta pranoj asociacionin mbi bazat e identitetit etnik. Politika mbi bazat etnike nuk është e mundshme. Pra s’mund të krijohet një asociacion mbi baza etnike, sepse kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Ky fakt është gjithashtu i konfirmuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese tonës në dhjetor 2016.

DW: Aktualisht në veriun e Kosovës ka dukshëm një situatë të tensionuar. Çfarë do të bëni për ta zgjidhur këtë situatë?

Albin Kurti: Kjo situatë është krijuar sepse Beogradi e refuzon propozimin Franko-Gjerman dhe kjo dramë është krijuar për të mbuluar refuzimin. Ata e kanë diskutuar këtë propozim në takimin e Këshillit të Sigurisë në Beograd dhe ai është refuzuar në mënyrë unanime. Pra, të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurisë në Serbi votuan kundër propozimit. Dhe njoftimi u dha nga ministri i Jashtëm i Serbisë, i cili në të shkuarën ka qenë zëdhënës i Millosheviçit. Ai tha se e kishin refuzuar propozimin franko-gjerman dhe më pas sajuan këtë dorëheqje kolektive nga institucionet tona, të policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë. Kam bërë thirrje që ata të mos japin dorëheqjen sepse institucionet nuk janë të miat. Institucionet u përkasin njerëzve dhe shtetit dhe ato na shërbejnë të gjithëve. Dhe unë, si kryeministër, jam shërbëtori kryesor. Unë u shërbej të gjithë njerëzve pavarësisht etnisë, pavarësisht identitetit kombëtar. Dhe ja përse unë u bëj sërish thirrje atyre që mos t’i braktisin institucionet, mos t’i lënë ato, të mos japin dorëheqje. Ata duhet të punojnë bashkarisht me ne. Kjo situatë ka krijuar një lloj boshllëku, por ne po bëjmë të pamundurën në mënyrë që shërbimet publike të jenë aty për njerëzit dhe askush të mos vuajë nga këto dorëheqje.

DW: Sigurisht, disa njerëz mund të mos bënin dakord me këto arsye. Shumë njerëz thonë se kjo situatë është si pasojë e çështjes së targave, për të cilën edhe komuniteti ndërkombëtar ju kërkoi që ta shtynit këtë rregullore të re, kaq shumë të kundërshtuar nga pala serbe.

Albin Kurti: Shumica e serbëve i kanë konvertuar targat dhe makinat, në targa dhe makina të ligjshme. Është vetëm një pakicë shumë e vogël ekstremiste brenda pakicës serbe, e cila refuzon t’i konvertojë targat, edhe pse mijëra të tjerë e kanë realizuar tashmë konvertimin. Pra është vetëm një pakicë e vogël refuzuese. Unë jam një udhëheqës i zgjedhur në mënyrë demokratike. Unë nuk mund t’i menaxhoj politikat e shtetit në varësi të dëshirave të një grupi ekstrem të popullsisë, pasi shumica e serbëve nuk bie dakord me ta. Ata kanë makina me targa RKS, kanë kartat e identitetit të Republikës së Kosovës. Ata kanë diploma të vendit tonë. Është vetëm një pakicë e vogël që po e bën këtë, për fat të keq. Ata janë të rrezikshëm sepse kanë mbështetje nga Beogradi, financiare dhe politike, mbështeten nga strukturat e paligjshme që janë kriminalizuar vitet e fundit. Dhe është ligji që merret me ta, jo unë. Pra, në këtë kuptim, ka dhjetëra kriminelë të njohur që po u bëjnë presion serbëve të tjerë dhe i detyrojnë ata të dorëhiqen, të refuzojnë dhe kështu me radhë. Pra, në Republikën e Kosovës, nuk mund të ketë individë ose grup njerëzish që janë më të fortë se shteti. Ky është sundimi im i ligjit, detyrë kushtetuese dhe demokratike. Si kryeministër i vendit.

DW: Çfarë do të bëni për ta zgjidhur situatën?

Albin Kurti: Kemi më shumë policë në veri dhe do të rekrutojmë policë të rinj, në mënyrë që t’i kemi të pranishëm në këto zona. Dhe aty ku kryetarët e bashkive kanë dhënë dorëheqjen, nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ne, përveçse të shkojmë në zgjedhje të reja në ato komuna, për të zgjedhur kryetarët e rinj. Unë mund të marr vendime politike në lidhje me marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, por vetëm në lidhje me funksionimin e brendshëm të shtetit. Unë nuk mund të marr vendime sepse është kushtetuta dhe ligji që parashikojnë dhe rregullojnë çdo problem dhe situatë.

DW: Pra po thoni që është vetëm një pakicë e vogël që detyroi të gjithë këta njerëz të dorëhiqen?

Albin Kurti: Këta njerëz u nxitën nga Beogradi. Dhe ekziston kjo pakicë e vogël që punon në emër të Beogradit, duke u bërë presion serbëve të Kosovës, sepse disa makina të serbëve të Kosovës janë djegur nga kjo pakicë. Beogradi ka këtë qëndrim të dëmshëm. Pushtimi rus në Ukrainë dhe agresioni ushtarak atje, si dhe përkrahja e Beogradit për Kremlinin, janë kërcënim për vendin tonë. Ne jemi shumë të shqetësuar, por nuk kemi frikë. Sepse ne jemi në të drejtën tonë, në territorin tonë, dhe ky është vendi që na përket të gjithëve dhe të cilit i përkasim të gjithë, si qytetarë të Republikës. Rreth 100 paralajmërime janë lëshuar nga policët tanë ndaj drejtuesve të automjeteve me targa të paligjshme dhe nuk ka pasur asnjë ankesë apo incident. Pra popullsia serbe po bashkëpunon me policinë tonë. Është kjo pakicë e pakicës që dëshiron që Kosova të kthehet në Serbi dhe që nuk heziton të jetë e dhunshme dhe të përdorë masa ekstremiste, në mënyrë që ta bëjë jofunksional vendin tonë. Por Republika jonë do të mbizotërojë.

DW: Siç e përmenda më lart, ka një ngecje në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Çfarë do të bëni në mënyrë që Serbia ta pranojë propozimin? Që të pranojë propozimin në terma afatgjatë…

Albin Kurti: Nuk ka asnjë shtet në Bashkimin Evropian që u jep më shumë të drejta pakicave, nga sa u jep Republika e Kosovës. Është ish-presidenti finlandez Martti Ahtissari që e ka shkruar këtë propozim gjithëpërfshirës. Pra, nëse të drejtat e serbëve në Kosovë nuk janë të mjaftueshme, sipas Beogradit, atëherë i takon Beogradit të thotë pse plani i Ahtisaarit nuk është i mjaftueshëm – edhe pse ky plan është më i përparuar se çdo përcaktim të drejtash në kushtetutat e vendeve të BE -së. Kështu që nuk më takon mua të jap më shumë./DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share