Gjumi është thelbësor për shëndetin e mirëqenien e njeriut.
Kur vjen puna tek të vegjëlit, rëndësia e gjumit dyfishohet, thonë ekspertët.
Një studim i Universitetit të Ohajos konfirmon se fëmijët që nuk flenë mjaftueshëm janë shumë herë më të rrezikuar nga mbipesha dhe probleme shëndetësore.
Gjumi, Mbipesha, Humori Dhe Aftësitë e Të Nxënit Tek Fëmijët
Sipas të dhënave të studimit, 23 përqind e fëmijëve që flenë gjumë pas orës 21:00 të mbrëmjes janë më të predispozuar të jenë obezë kur të arrijnë moshën e adoleshencës.
Ndërkohë, fëmijët që flejnë gjumë në orën 20:00 të mbrëmjes janë 13% më pak të rrezikuar nga këto probleme.
16 përqind e fëmijëve parashkollorë që bien në gjumë mes orës 20:00 deri në 21:00 bëhen obezë kur arrijnë adoleshencën.
Në vija të holla, rreziku i obezitetit përgjysmohet kur fëmijët parashkollorë flenë herët maksimumi deri në orën 20:00.
Gjumi është i rëndësishëm për zhvillimin dhe rritjen e fëmijëve.
Ai ndikon jo vetëm tek sjellja por edhe aftësitë e të nxënit dhe vëmendja.
Një rutinë e mirë, e rregullt dhe e përpiktë e gjumit është thelbësore për mirëqenien e të miturit.
Nëse fëmijët flenë më pak, atëherë hormonet në organizmin e tyre të vogël do të ndryshojnë duke ndikuar tek oreksi dhe metabolizmi.
Ora e duhur kur fëmijët duhet të jenë në shtrat është 20:00 dhe asnjë minutë më vonë.
Kjo orë është e rëndësishme edhe për shëndetin e trurit, humorin dhe shëndetin mendor.
Nëse fëmija fle si dhe sa duhet, atëherë trupi dhe mendja e tyre do të kenë kohën e mjaftueshme për tu rimëkëmbur.
Mungesa e gjumit ndikon edhe tek mënyra se si një fëmijë i përpunon dhe shpreh emocionet.
Nëse fëmija fle pak, atëherë ai do të jetë më shpërthyes, emocional, më i stresuar dhe më pak i aftë të bëjë një gjumë të qetë.
Sipas ekspertëve, nëse fëmija fle një orë pas orës së caktuar, pra orës 20:00, performanca e tij në shkollë dhe në kopësht do të jetë më e vështirë.
Oraret e Rekomanduara Të Gjumit Për Çdo Grupmoshë
Foshnjet nga 4 deri në 12 muaj duhet të flenë nga 12 deri në 16 orë
Fëmijët nga 1 në 2 vjeç duhet të flenë nga 11 në 14 orë në ditë
Fëmijët nga 3 në 5 vjeç duhet të flenë nga 10 në 13 orë në ditë
Fëmijët nga 6 deri në 12 vjeç duhet të flenë nga 9 deri në 12 orë
Adoleshentët nga 13 deri në 18 vjeç duhet të flenë nga 8 në 10 orë.
Bebet duhen vendosur në gjumë në orën 19:00
Të vegjëlit duhet të jenë në shtrat në orën 19:30
Të miturit duhet të jenë në shtrat në orën 20:00
Fëmijët para adoleshencës duhet të shtrihen për të fjetur në orën 08:30
Adoleshentët duhet të jenë në shtrat diku mes orës 9 deri në orën 10:30.
E fundit, por jo për nga rëndësia është që prindërit duhet të përqendrohen tek cilësia e gjumit dhe të përpiqen që ai të jetë i patrazuar.