Kancelari gjerman, Olaf Scholz, diskutoi situatën në Ukrainë me presidentin Volodymyr Zelensky, në një bisedë telefonike më 11 nëntor, pak para samitit të G20-ës, i cili do të mbahet javën e ardshme në Indonezi.
Kështu tha Berlini zyrtar, ku sipas njoftimit, presidenti ukrainas e ka informuar kancelarin gjerman për zhvillimet e fundit në Herson.
Rusia ka njoftuar më 10 nëntor se ka filluar tërheqjen e trupave ruse nga Hersoni, qytet strategjik ukrainas.
Të dy dënuan sulmet ruse ndaj infrastrukturës civile dhe diskutuan mënyrat e forcimit të sektorit energjetik të Ukrainës.
Scholz tha se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kievin me infrastrukturën energjetike dhe mbrojtjen ajrore.
Gjatë muajit të kaluar, ushtria ruse ka shënjestruar infrastrukturën e energjisë ukrainase, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në vend. Më 6 nëntor, në Kiev ka pasur reduktime të energjisë.
Ata bënë po ashtu thirrje për vazhdimin e marrëveshjes së drithit, e cila lejon eksportimin e produkteve bujqësore ukrainase në mënyrë që të përmirësohet situata globale e ushqimit.
Rusia dhe Ukraina janë të dyja furnizuese kyçe të drithërave, dhe konflikti i vazhdueshëm vetëm ka vënë në pah brishtësinë e zinxhirit global të furnizimit me ushqime, kur dy shtetet kryesore janë jashtë tregut.
Së bashku, ato eksportojnë pothuajse 30 për qind të furnizimeve me grurë në botë./REL