Ligji për shoqata nën lupë

OSMANI PËR KOMISIONIN E VENECIAS, KOVAÇEVSKI PËR SKRININGUN E BE-së

Ligji për shoqata, të cilin Kuvendi në Shkup para pak kohësh e miratoi me mbështetjen edhe të pushtetit, edhe të opozitës, krijon probleme në relacionin Shkup-Sofje. Ishkryeministri Bojko Borisov ka kërkuar nga shefi i diplomacisë Bujar Osmani që zbatimi i tij të anulohet. Ligji për shoqata urdhëron ndryshim të emrit të klubit ose shoqatës qytetare, madje edhe në mënyrë retroaktive, në qoftë se i njëjti aludon në fashizëm. Kryeministri Kovaçevski siç duket nuk pajtohet me sugjerimin e Ministrit Osmani – ligji të dërgohet për verifikim në Komisionin e Venecias.

Ministri Bujar Osmani, i cili që nga momenti i miratimit të Ligjit për shoqata dhe parti politike ka dyshimet në lidhje me të, dje nga Sofja paralajmëroi – dokumenti të dërgohet për verifikim në Komisionin e Venecias. Sot Kryeministri Kovaçevski shprehu qëndrim tjetër.

“A do të jetë pjesë e analizës së Komisionit të Venecias ose jo, ai është miratuar në Kuvendin tonë. Nga ana tjetër, ne e kemi filluar procesin e skriningut me BE-në, pa marrë parasysh nëse shkojnë në Komisionin e Venecias, të gjitha ligjet tona do të shqyrtohen në skriningun dypalësh që e kemi me BE-në dhe normalisht që pastaj do të pësojnë harmonizime. Unë konsideroj se në të nuk ka paqartësi të mëdha” – tha Kovaçevski.

Në takimin me Ministrin Bujar Osmani i cili qëndroi për vizitë pune dyditore në Sofje, ishkryeministri bullgar Bojko Borisov propozoi që zbatimi i Ligjit për shoqata të anulohet deri në vlerësimin nga Komisioni i Venecias, organ i Këshillit të Evropës.

“Nuk më takon mua të ndërhyj, por edhe për Ligjin për Shoqata në Bullgari ka pasur reagime të ashpra. Kjo pasqyrohet negativisht në marrëdhëniet e mira fqinëjsore. Është mirë që Komisioni i Venecias të na japë këshillë nëse është i drejtë ose jo” – deklaroi Bojko Borisov, GERB.

Kovaçevski propozon që në ardhmen Ligji për shoqata të harmonizohet sipas shembullit të ligjdhënies gjermane, duke e konsideruar Gjermaninë si anëtare të BE-së ku në shkallë të lartë janë zgjidhur të drejtat e njeriut dhe shoqatat e qytetarëve. Përndryshe Qeveria në Shkup ende nuk ka dërguar kërkesë zyrtare në Bullgari për hapjen e klubit kulturor maqedonas në Bllagoevgrad, sipas shembullit të atij në Sofje. Në hapjen e klubit, të financuar nga persona privatë, i kontestuar nga autoritetet bullgare, nga Maqedonia e Veriut morën pjesë vetëm partitë maqedonase opozitare. /KlanMacedonia/

PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share