Presidentja Vjosa Osmani ka pritur të martën në takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.
Përmes njoftimit është bërë e ditur se temë qendrore e takimit ishte shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonhshme pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave veriore.
Osmani ka treguar se janë duke u ndërmarrë hapat e nevojshëm për shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Në këtë takim, Presidentja ka theksuar se janë duke u ndërmarrë hapat e nevojshëm për shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Ajo tha se së shpejti subjektet politike do të ftohen për konsultime përpara se të caktohet data e zgjedhjeve, brenda afatit ligjor”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Radoniqi ka njoftuar Osmanin se KQZ posedon kapacitetet e nevojshme për organizimin e këtyre zgjedhjeve.