Çdo rrethanë politike e analizon me syrin e Albin Kurtit. Analizat e tij janë gjithmonë të konvenueshme dhe të dashura për pushtetarin kryesor, Albin Kurtin.
Por, analistit Ramabaja, i cili më herët ka qenë dhe zyrtarisht anëtar i Vetëvendosje, i kanë dalë telashe me diçka tjetër.
Prokurori special, Burim Çerkini po kërkon që Sadri Ramabaja, të dënohet. Ai është i përfshirë në tentim vrasjen e Azem Vllasit.
Avni Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me tani të ndjerin M.J.
Ndërsa, Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Çerkini, në fjalën e tij përfundimtare të dorëzuar me shkrim dhe të elaboruar në gjykatë, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë akuzës dhe provave që e mbështesin këtë aktakuzë.
Sipas tij, gjendja faktike në këtë aktakuzë është vërtetuar nga dëshmia e tani të dëmtuarit, dëshmitarëve dhe provat materiale të prezantuara në këtë shqyrtim gjyqësor si dhe nga faktet e pakontestueshme.
Çerkini ka kërkuar nga trupi gjykues që provave të nxjerra gjatë shqyrtimit të parë dhe rastit të rigjykimit t’ua falë besimin e plotë me të cilat tha se do të vërtetohet përgjegjësia penale e të akuzuarve.
Prokurori Çerkini ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe t’iu shqiptohet dënim i paraparë sipas ligjit.
Tutje, përfaqësuesi i palës së dëmtuar Azem Vllasi, avokati Nazuf Hasani në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se pa mëdyshje ekziston përgjegjësia penale e të pandehurve.
“Janë vërtetuar me prova të pakontestueshme se për motive të ulëta dhe duke qenë se pala e dëmtuar Azem Vllasi ishte i pambrojtur qëllimi i tyre ka qenë që ta privojnë nga jeta”, tha Hasani.
Hasani i ka propozuar gjykatës që në bazë të provave të vendos për gjykim meritor.
Ndërsa, i dëmtuari Azem Vllasi e ka përkrahur në tërësi fjalën përfundimtare të prokurorit dhe të përfaqësuesit të tij, duke shtuar se në këtë çështje nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese.
“Unë kam plot besim në vendimin e juj. Organizata terroriste Syri i Popullit është formu dhe ka ekzistu”, tha Vllasi.
Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Llumnica, avokati Naim Rudari fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, duke shtuar se prokurori i shtetit tani në këtë përfundim të këtij procesi gjyqësor do të duhej të përmblidhte prova konkrete dhe të pakontestueshme që argumentojnë kryerjen e veprës penale por që sot asnjë nga këto sipas tij nuk u përmenden.
Sipas tij, prokurori, i dëmtuari dhe përfaqësuesi i tij nuk arritën që të gjejnë një motiv, arsye apo qëllim që i mbrojturi i tij të ketë kryer këtë vepër penale.
Ndërsa, i akuzuari Llumnica e ka mbështetur në tërësi fjalën e mbrojtësi të tij, duke shtuar se qëndron pranë deklaratave të tij të dhëna në procedurat e deri tanishme.
“Unë ju garantoj që jam totalisht i pafajshëm për këtë proces për çka jam akuzuar, kam besim të plotë se trupi gjykues do të sjellë një vendim të drejtë. Ju e dëgjuat vet Azemin kur tha se asgjë si kam bo Avni Llumnicës andaj unë çfarë arsye kam pas me pas problem me një njëri që asniherë skam pas kontakt e se kam dit a sku jeton as qka bon”, tha i akuzuari Llumnica.
Më pas, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim edhe mbrojtësi i të akuzuari Sadri Ramabaja, avokati Ramiz Krasniqi duke shtuar se pas administrimit të provave kishte pritur që Prokuroria të heqë dorë nga aktakuza e ushtruar ndaj të mbrojturit të tij.
Ai tha se në këtë rast prokurori special nuk është krejtësisht i pavarur dhe se në këtë organ vlen parimi i majorizimit që sipas tij do të thotë se eprori vendos se a duhet hetuar ndonjë individ apo jo, a duhet hequr dorë nga ndonjë akuzë apo jo.
“Pra dilema e mbrojtjes është kjo: Kush është shefi real i Prokurorisë Speciale? Apo, të shprehem ndryshe, kush e kontrollon Prokurorinë Speciale të Republikës”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka propozuar gjykatës që në mungesë të provave, Sadri Ramabaja të lirohet nga akuza.
Fjalën e tij përfundimtare e ka përkrahur i akuzuari Ramabaja, i cili i dorëzoi trupit gjykues një libër të tij me titull “Liria pa heronj”, ku sipas tij aty ka dëshmi se si Azem Vllasi si bartës i projektit rus i akorduar me ish-presidentin e atëhershëm të Republikës së Serbisë kanë punuar në drejtim të realizimit të ashtuquajturës republika autonome e tipit rus.
Në fund, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli ka konstatuar dhe vlerësuar se çështja është zbardhur mjaftueshëm, ashtu që sipas tij nuk ka nevojë të administrohen prova të reja.
(Në fotografinë e Ekonomia Online, pamje nga një arrestim i Ramabajës në qendër të Prishtinës – 1 shtator 2016)