“PËR 20 PËRQINDËSHIN JEMI NË KOMUNIKIM ME PARTITË SHQIPTARE”
Aleanca për Shqiptarët ka vendosur që të merr pjesë në takimin e liderëve të partive parlamentare, që për të hënën më 7 Nëntor, e ka thirrur Kryeministri Dimitar Kovaçevski. Konfirmimin e bëri publike ushtruesi I detyrës Kryetari I ASH-ë, Arben Taravari, gjatë një prononcimi për mediat, pas takimit me Ambasadorin e Republikës së Çekisë në Shkup, Jaroslav Ludva.
“Do të shkojmë. Fillimisht do t`i dëgjojmë çfarë është tema ideja, për çfarë bisedojmë. Natyrisht kemi strategjinë tonë të negociimit dhe e kemi koordinuar me grupin organizativ të Kongresit, ajo është Kryesia e përkohshme. Do ta shohim. Në bazë të rrjedhës së bisedës pasi do të jenë present shumë parti politike” – tha Arben Taravari, ASH.
Në takimin e liderëve ASH-ja do t`I shpalosë qëndrimet e saj për shumë çështje aktuale politike, mes të cilëve, edhe kërkesën për heqjen e përkufizimit “20%” për gjuhën shqipe.
“Me Lëvizjen BESA, por edhe me të gjithë partitë shqiptare, jemi në komunikim të vazhdueshëm. Ideja është që të ulemi e të komunikojmë dhe t`i sjellim vendimet sëbashku. Sa e shoh të gjithë janë “pro” heqjes së “20%”. Ne Kushtetutën nuk e hapim special për “20%”. Kushtetuta hapet se është kusht I domosdoshëm futja e pakicës bullgare në Preambulë. Ne do të bisedojmë për atë, por mund të bisedojmë edhe për gjëra tjera. Çdoherë duhet biseduar për tema që ndihmojnë bashkëpunimin e brendshëm të popujve që jetojnë këtu” – tha Arben Taravari, ASH.
Partitë tjera shqiptare, në parim thonë se për tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me euro-integrimet e vendit, të gjithë partitë politike, pa marrë parasysh orientimet e tyre, duhet të ulen në tavolinë të përbashkët.
Nga Lëvizja Besa thonë se ende nuk kanë një ftesë për takimin e liderëve të thirrur nga Kryeministri Kovacevski dhe nëse mbërrin një ftesë e tillë, për pjesëmarrje do të vendos Kryesia e partisë.
Ndërkohë, për takimin e liderëve të partive shqiptare, të thirrur nga lideri I Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, partitë shqiptare nuk kanë konfirmuar pjesëmarrje, duke thënë njëzëri se për cështjen e heqjes së 20% për gjuhën shqipe, do të mbeten në komunikim me partitë shqiptare.
Kryetari i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski deklaroi se, partia ditëve në vijim do të konsultohet me partitë e koalicionit dhe udhëheqësinë, për qëndrimin nëse do të marrë pjesë në takimin e liderëve e thirrur për më 7 nëntor. Mickoski, tha se në këtë takim duhet të bisedohet për problemet reale dhe jo për ndryshimet kushtetuese.
Kryeministri Kovaçevski për më 7 Nëntor në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ka thirrur takim liderësh. Takimi, sic kanë thënë nga Qeveria, organizohet me qëllim të hapjes së diskutimit për të ardhmen evropiane të vendit por edhe për vendimet që në periudhën e ardhshme në Kuvend duhet të miratohen me konsensus të gjerë politik dhe shoqëror. /KlanMacedonia/