Edhe Belize kundër qeverisë britanike për emigrantët

Huff Post i bën jehonë reagimit të Kryeministrit Rama

Ka vetëm 10 ditë që drejton Ministrinë e Brendshme britanike, por Suella Braverman duket se ka marrë një detyrë të vështirë, të cilën nuk po e përballon lehtë… të përballet me krizën e emigrantëve. Pas kryeministrit Rama, ajo po përballet me kritika edhe nga Ministri i Jashtëm i Belizeve. Ejmon Kortni, në një postim në Twitter e quan “çnjerëzor” planin e saj për të përdorur shtetin e vogël të Amerikës Qendrore për të grumbulluar azilkërkuesit që u refuzohet leja e qëndrimit në Britaninë e Madhe. Për më tepër i përgënjeshtron sekretaren Braverman që tha se është në bisedime për këtë çështje me Belizen.

“Belize nuk është në bisedime me Britaninë e Madhe për të pranuar emigrantë. Nuk jemi dakord të pranojmë emigrantë të eksportuar. Kjo është çnjerëzore dhe kundër ligjeve ndërkombëtare”.

Huffington Post nënvizon se të mërkurën ishte kryeministri Edi Rama që nisi një sulm të ashpër ndaj Braverman për komentet që ajo kishte bërë për qytetarët e shqiptare. Gazeta e njohur thekson se Rama e akuzoi atë për “diskriminim” të shqiptarëve. Deklaratat e tij u pasqyruan edhe Times dhe Guardian, të cilat theksuan se nëse Britania kërkon një marrëveshje të kthimit të emigrantëve, duhet ta trajtojë Shqipërinë me respekt.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share