Takimi i liderëve: Qëndrimi i VMRO – DPMNE-së ditëve në vijim

MICKOSKI: ËSHTË VONË TË KETË KONSULTIM TË GJERË PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE

Kryetari i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski deklaroi sot se, partia ditëve në vijim do të konsultohet me partitë e koalicionit dhe udhëheqësinë, për qëndrimin nëse do të marrë pjesë në takimin e liderëve e thirrur për më 7 nëntor nga ana e kryeministrit Dimitar Kovaçevski. Mickoski, tha se në takimin e liderëve duhet të bisedohet për probleme reale siç është rritja e çmimeve dhe inflacionit dhe jo për ndryshimet kushtetuese,

“Mirë është të bisedohet për problemet aktuale, për atë që i shqetëson qytetarët – për mungesën e parave dhe çmimet e larta, inflacionin, gjendjen energjetike, krimin dhe korrupsionin. Kjo është thelbi dhe si politikan duhet të gjejmë zgjidhje për problemet e qytetarëve dhe për atë janë i gatshëm të bisedojë në çdo kohë. Sepse sot askush nuk bisedon për ndryshimet kushtetuese që i janë kujtuar Kovaçevskit dhe atij grupi të vogël rreth tij që t’i shpëtojnë karrierat e tyre politike edhe ndonjë muaj”, deklaroi Hristijan Mickoski lider i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski tha se, nëse shkojnë në takim të liderëve nuk do të ndryshojnë qëndrimin për ndryshimet kushtetuese dhe se është vonë për konsultim të gjerë në lidhje me ndryshimet kushtetuese.

“Konsultim i tillë i gjerë duhej të ketë para pesë gjashtë muajsh ku e shiste Maqedoninë dhe kur mendonte se bën vepra heroike, ndërsa në të vërtetë kapitulloi. Tani është vonë dhe nëse nuk ka shumicë për ato ndryshime kushtetuese, ndërsa nuk ka, duhet të flasim për datë për zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Hristijan Mickoski lider i VMRO-DPMNE-së.

Qeveria dje njoftoi se u ka dërguar ftesa të gjitha partive për të marrë pjesë në takimin e liderëve që është caktuar për më 7 nëntor në Kuvend. Në këtë takim, pritet që të hapet tema e ndryshimeve kushtetuese, për përfshirjen e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në kushtetues. Për të ndodhur kjo, nevojitet shumicë prej dy të tretave në Kuvend, që shumica parlamentare nuk e ka momentalisht. Nga ana tjetër, edhe Lëvizja Besa ka thirrur tryezë të përbashkët të partive shqiptare, për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët në lidhje me heqjen e përkufizimin 20 % nga Kushtetuta. Opozita shqiptare kërkon që kjo të ndodhë në kuadër të ndryshimeve kushtetuese./KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buqi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share