Kërcënohet me jetë aktorja që publikoi videon e dhunës së infermieres ndaj të moshuarës

Aktorja Kaltrinë Zeneli e cila ka publikuar videon, ku e moshuara në shtëpinë e pleqve në Pejë dhunohej nga infermierja Aurona Pelaj së bashku bashkë me disa kolege të saj, ka qenë në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në Klan News me gazetarin Besart Jacaj.

Aktorja ka treguar se pas publikimit të kësaj video ka marrë kërcënime të shumta nga njerëz të ndryshëm. Madje ka treguar se dhe një vajzë tjetër që ka emrin njësoj me të, Kaltrina Zeneli, ka marrë kërcënime duke menduar se është ajo personi që ka publikuar videon. Vajza e cila mban të njëjtin emër në rrjetet sociale si aktorja Kaltrinë Zeneli, shprehet e shqetësuar dhe e frikësuar.

Kaltrinë tregon se kërcënimet që ka marrë dhe ajo vetë kanë qenë të shumta edhe nga njerëz të huaj, ku mesa duket nuk e kanë kuptuar mirë qëllimin e videos së publikuar. Madje i kanë thënë që nëse e shohin atë në rrugë do e mbysin.

“Një vajzë që më ka në Facebook është me të njëjtin emër, Kaltrina Zeneli, domethënë kërcënimet i kanë shkuar direkt asaj për arsyen se në Instagramin tim dhe Facebook-un tim qëndron emri Kaltrinë Zeneli me ë. Kjo mi ka dërguar disa biseda dhe më ka treguar për shqetësimin e saj, që njerëzit po e kërcënojnë. Është e shqetësuar, edhe familjarët e saj janë të shqetësuar”, është shprehur Kaltrinë Zeneli.

E pyetur nga gazetari se kush janë këta njerëz që e kërcënojnë,  a janë të afërmit e infermieres Pelaj, Kaltrinë Zeneli përgjigjet:

“Më duket se janë persona që e kanë parë videon edhe mendojnë që unë jam njëra prej atyre vajzave në video, ose jam ajo që po xhiron edhe po qesh në prapavijë. Nuk ka mundur t’i shoh të gjitha mesazhet për të parë nëse ka qenë dikush prej familjarëve të këtyre infermiereve.

 Unë kam marrë kërcënime edhe prej personave që janë të nacionaliteteve të ndryshme, kam marrë kërcënime në gjuhë të ndryshme në gjuhën angleze, në gjuhën spanjolle, franceze.

E kanë parë videon e postuar në Instagram dhe si duket nuk e kanë kuptuar qëllimin e postimit të videos që e kanë parë dhe kanë filluar të kërcënojnë dhe më thonë që nëse të shoh diku kam për të të mbytur, ose lloj lloj kërcënimesh”, ka thënë Kaltrinë Zeneli. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share