“NUK KAM QENË NË DIJENI PËR BLERJEN E SOFTUERIT”
Мinistri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski u ul në karriken e dëshmitarit gjatë seancës për të akuzuarin Dragi Rashkovski, ish sekretar i përgjithshëm në qeverinë e RMV-së. Spasovski tha se gjatë kohës sa ishte kryeministër teknik në vitin 2020, nuk ka qenë në dijeni për blerjen e softuerit për identifikim biometrik dhe sistemit për përcaktimin e shpejtësisë mesatare të lëvizjes së automjeteve, e as që ka qenë në dijeni se një gjë e tillë është diskutuar në Qeveri.
“Mendoj se nuk është diskutuar pse furnizimet i ka bërë sekretari i përgjithshëm dhe nëse është paraparë në planin e përgjithshëm, e bëjnë vetë. Një nga opsionet atëherë ishte blerja e softuerit të ri, dhe një tjetër ishte përmirësimi i sistemit ekzistues “Sejf siti” sistem”, deklaroi Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski.
Rashkovski thotë që softueri është blerë për të analizuar se si të zvogëlohet numri i shkeljeve në trafik, e jo që Sekretariati i Përgjithshëm të ndëshkojë përmes tij.
“Sot ju vetë keni qenë dëshmitar se ne kemi thyer tezën e fundit të Prokurorisë se softueri është prokuruar për nevoja të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Softueri, siç tha ministri, është blerë për nevojat e Qeverisë, në kuadër të realizimit të aktiviteteve të tyre dhe obligimeve të parapara me ligj, për të bërë analiza”deklaroi Dragi Rashkovski ish Sekretar i Përgjithshëm.
Sipas aktakuzës, Rashkovski akuzohet për veprat penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “pastrimi i parave dhe produkteve të tjera të veprës penale”. Seanca e rradhës vazhdon më 8 nëntor ku duhet të merren në pyetje shumë dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria, ndër të cilët edhe përfaqësuesi i Avokatit të popullit ./KlanMacedonia
Përgatiti: Arbana Q. Klimenta