Mbytet varka me emigrantë në ishullin Evia

9 refugjate u shpëtuan ndërsa dhjetëra të tjerë rezultojnë të zhdukur, ata vinin nga Afganistani, Egjipti dhe Irani

Autoritetet greke kanë shpëtuar nëntë emigrantë ndërsa janë në kërkim të dhjetrave të tjerë të cilët rezultojnë të zhdukur pasi varka e tyre u mbyt në ishullin Evia. Nëntë persona, të gjithë burra, u shpëtuan nga bregu i Kepit Kafireas në skajin juglindor të ishullit Evia mes erërave të forta.

Sipas të dhënave të emigrantëve, rreth 68 persona ishin në varkë. Mediat greke raportojnë se emigrantët e shpëtuar ishin nga Afganistani, Egjipti dhe Irani. Një anije e rojes bregdetare, një helikopter dhe dy varka që lundronin aty pranë janë vendosur në dispozicion për të gjetur të zhdukurit.

Videoja e publikuar nga roja bregdetare tregon varkën e shpëtimit duke kërkuar për emigrantët. Muajin e kaluar dhjetëra emigrantë u shpëtuan nga dy anije në ishujt Lesbos dhe Kyritha, ngjarje të cilat ndodhën brenda 24 orëve. Kohët e fundit është parë një rritje e tentativave për të hyrë ilegalisht përmes ishujve grekë dhe kufirit tokësor turk.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share