Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me fermerët në Ersekë. Kreu i qeverisë ka folur edhe për financimet ruse. Ai u shpreh se ato detaje që janë publikuar në lidhje me financimet ruse në PD janë maja e ajsbergut. “Historia e zhytjes së asaj partie në thesin e rublave, të monedhës ruse, as nuk filloi me atë që dimë dhe dini, as nuk ka mbaruar me atë që dimë dhe dini”, u shpreh Rama.
“Duhet një mirëkuptim i madh për faktet. Nuk mundet dot të themi, jo s’ka lidhje. Aq më tepër pastaj në vend që të informojmë njerëzit, në vend që të krijojmë kushte për të rënë dakord për faktet e një lufte që na sulmon jo me bomba, por na sulmon përmes energjisë dhe inflacionit, rrisim dozën e helmit, rrisim dozën e dezinfomimit, rrisim dozën e ligësisë në raport me publikun përmes deklaratash që janë shpifje nga më monstruozet, nga më të ndyrat dhe përmes pasqyrash mediatike që i reflektojnë ato lloj shpifjesh dhe i shtojnë edhe më shumë. Natyrisht kjo nuk është e rastësishme. Nuk është as thjesht një interes këtu, i vogël, pushteti apo paraje. Është më shumë se sa kaq. Kjo është influencë e drejtpërdrejtë ruse në Shqipëri. Kur ne kemi ngritur problemin e parave ruse që financonin PD, ju kujtohet, na thanë janë shpifjet dhe shpikjet e Edi Ramës dhe të Sorosit. Mirëpo na doli në raportin e CIA-s. Po ju them që është vetëm maja e ajsbergut. Historia e zhytjes së asaj partie në thesin e rublave, të monedhës ruse, as nuk filloi me atë që dimë dhe dini, as nuk ka mbaruar me atë që dimë dhe dini. Kjo është një aleancë rublash mes të dyja atyre partive që janë andej dhe të cilave ju bëjnë një jehonë pastaj disa pasqyra të shtrembëruara komplet mediatike që helmojnë papushim me shpifje nga më banalet. Ikën 700 mijë shqiptarë nga viti 2008 deri në 2020 dhe pa pikë turpi nxjerrin lejet e qëndrimit, ndërkohë që e dimë të gjithë që lejet e qëndrimit në vendet e BE-së nuk përkojnë me njerëzit e ikur po atë vit nga vendet e tyre. Për marrjen e lejeve të qëndrimit duhen nganjëherë vite, sidomos për shqiptarët”, tha Rama./tvklan.al