Shkon në 153 numri i të vdekurve në Korenë e Jugut

Ka shkuar në 153 numri i personave që kanë vdekur nga shtypjet gjatë natës së festimit të Halloween-it (Natës së Shtrigave) në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul. Ndërsa 82 të tjerë janë plagosur.

Mes të vdekurve janë edhe 20 shtetas të huaj, thonë shërbimet e urgjencës në Seul, raporton BBC.

Incidenti vdekjeprurës i 30 tetorit, i cili raportohet se ka nisur pas orës 22:00 me orën lokale, ndodhi në Itaewon – një zonë të njohur të jetës së natës – në festimin e parë të Halloween-it që nga pandemia e koronavirusit.

Pamjet e një nate më parë nga Seuli shfaqin dhjetëra kufoma të mbuluara, zyrtarë të emergjencës që intervenojnë te të lënduarit dhe njerëz që ndihmojnë njëri-tjetrin për të shpëtuar nga shtypja.

Raportohet se kishte paralajmërime se rrugët do të ishin të mbushura me njerëz, por ende nuk dihet se si filloi përplasja e turmës.

Aktori Park Jung-hoon tha se turmat ishin “disa dhjetëra herë më të mëdha” se në Krishtlindje ose gjatë shfaqjeve të fishekzjarreve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shkruar në Twitter se ndihet i pikëlluar për atë që ndodhi në Seul.

“Ngushëllimet tona më të thella për familjarët dhe miqtë e të vdekurve dhe të plagosurve”, ka shkruar mes tjerash ai.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron ka shprehur ngushëllimet e tij për popullin korean.

“Franca është me ju”, ka shkruar ai në Twitter.

Lideri kinez, Xi Jinping, i ka dërguar një mesazh homologut të tij të Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, duke i ofruar ngushëllime viktimave dhe familjeve të tyre, raporton media shtetërore kineze CCTV.

Ai tha se në këtë fatkeqësi kishin humbur jetën katër kinezë dhe dy të tjerë ishin lënduar./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share