Nisin punimet për hekurudhën si pjesë e korridorit 8

GEER: KY ËSHTË INVESTIMI MË I MADH I BE-SË NË RMV

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski dhe homologu i tij bullgar, Galab Donev, së bashku me ministrat e dy qeverive dhe euroambasadorin, David Geer, kanë shënuar sot fillimin e ndërtimit të infrastrukturës hekurudhore të korridorit 8, Kumanovë – Belkovcë – Kriva Pallankë. 

Hekurudha në Korridorin 8 është investim që i hap vendit rrugë të reja evropiane për transport hekurudhor, vendosjen e ndërlidhjes rajonale me portet në Burgas dhe Varna të Bullgarisë dhe me portin e Durrësit në Shqipëri, që sipas Kryeministrit Kovaçevski është jashtëzakonisht e rëndësishme për ekonominë e vendit por edhe për bashkëpunimin rajonal në tërësi. Kryeministri tha se, është i vetëdijshëm për skepticizmin e qytetarëve, por premtoi se do të përkushtohen për realizimin e këtij projekti.

“E di se ekziston ai skepticizëm, ai mosbesim se ndonjëherë do të ndodhë kjo. Sistemi ynë është i tillë edhe atë në shumë vende, e kam të qartë ndjesinë e qytetarëve. Dhe që të mund ta përmirësojmë, duhet gjithë këtë fillimisht ta pranojmë e më pas t’i hyjmë punës. Gjatë 30 viteve të kaluara ose nuk kemi pasur njohuri, ose nuk ka pasur përkushtim të mjaftueshëm ose ka pasur shumë korrupsion. Ose të gjithë 3 çështjet së bashku.  Për këtë, këtu para jush them me përgjegjësi se opsioni i vetëm që e kemi është t’i dysfishojmë përpjekjet dhe të punojmë shumë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër I RMV-së.

Kryeministri bullgar theksoi se, ndërtimi i këtij korridori, i cili ndërlidh 3 vende aleate të NATO-s, është në interes të sigurisë së përbashkët rajonale, por edhe do të kontribuojë për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe të mallrave mes vendeve.

“Pasojat e luftës në Ukrainë zbulojnë edhe njëherë vendet më të cenueshme në rajonin tonë, përkatësisht me infrastrukturë të pazhvilluar dhe të mangët. Në kushte të një krize potenciale energjetike dhe ushqimore, vetëm dëshirojmë të sigurojnë rrugë direkte për dërgesat. Dhe për këtë, për shkak të mungesës së hekurudhës ndërlidhëse, vendet tona detyrohen që të kërkojnë rrugë alternative për furnizime, të cilat kalojnë përmes vendeve të treta, të cilat e rrisin në mënyrë shtesë çmimin dhe e zgjasin kohën e furnizimin për ato resurse për të cilat kemi nevojë të gjithë ne”, deklaroi Galab Donev, Kryeministër i Bullgarisë.

Ndërkaq, euroambasadori, David Geer deklaroi se, kjo është një iniciativë strategjike që do të ndihmojë promovimin e tregtisë rajonale dhe do të nxisë rritje të qëndrueshme ekonomike për qytetarët dhe ndërmarrjet e rajonit.

“Iniciativa praktikisht do t’i ndihmojë edhe përpjekjet tona për raporte të mira fqinjësore dhe për realizimin e qëllimeve tona klimatike dhe të reduktojë ndotjen e ajrit. KE dhe BERZH do të investojnë më shumë se një miliard euro në zgjerimin e linjës hekurudhore nga Maqedonia e Veriut deri në Bullgari dhe kjo është bindshëm investimi më i madh që e ka bërë BE në këtë shtet”, deklaroi David Geer, Euroambasador.

Ky projekt ndërtohet me ndihmë financiare nga BE prej 75 milionë euro përmes kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor. Punimet pritet të realizohen deri në fundin e vitit 2025 dhe përfshijnë tunele në gjatësi prej 5,5 kilometra, ura hekurudhore, mbikalime dhe nënkalime, stacione hekurudhore si dhe sistem të ri të sinjalizimit dhe telekomunikacionit./KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share