Kovaçevski dhe Donev në Shupli kamen gjatë fillimit të ndërtimit të hekurudhës së Korridorit 8

Në praninë e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe homologut të tij bullgar Galab Donev, sot në vendin Shuplin kamen në afërsi të Kumanovës, zyrtarisht do të shënohet vazhdimi i ndërtimit të hekurudhës për në Bullgari, në të cilën nuk ka asnjë aktivitet ndërtimor që nga qershori i vitit 2020.

Në këtë ngjarje do të prezantohet projekti për fazat e ardhshme të ndërtimit të seksionit, ndërsa fjalime do të kenë kryeministrat Kovaçevski dhe Donev, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Artan Grubi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, drejtori i NP “HRMV Infrastruktura” Hari Lokvenec, ambasadori i Delegacionit të BE-së, Dejvid Gir dhe drejtori i zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Andi Aranitasi.

Rindërtimi përfshin punën në dy pjesët e para nga tre seksionet e parashikuara në anën lindore të Korridorit hekurudhor 8, me një gjatësi totale prej 88.2 kilometra (nga Kumanova në Belakovcë – 31 km, nga Belakovca në Kriva Pallankë – 34 dhe nga Kriva Pallanka në kufirin me Bullgarinë – 24 kilometra).

“Seksioni Belakovc – Kriva Pallankë po ndërtohet me ndihmën financiare të BE-së të ofruar përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (VBIF). Granti i financuar nga BE-VBIF prej 75 milionë euro, i plotësuar me një kontribut kombëtar prej 1 milionë eurosh, është dhënë për ta afruar këtë seksion hekurudhor me standardet moderne. Punimet do të kryhen nga tetori i vitit 2022 deri në fund të vitit 2025 dhe përfshijnë 5.5 kilometra tunele, ura hekurudhore, mbikalime dhe nënkalime, stacione dhe stenda hekurudhore, si dhe një sistem të ri sinjalizimi dhe telekomunikacioni. Një grant shtesë i financuar nga BE-ja prej 210 milionë euro është planifikuar për përfundimin e pjesës lindore të korridorit hekurudhor 8 deri në kufirin me Bullgarinë”, informoi Zyra e BE-së në Shkup në prag të aktiviteteve të sotme.

Pasi të përfundojë, seksioni hekurudhor pritet të rrisë vëllimin vjetor të mallrave me 20 përqind deri në vitin 2040 dhe të sigurojë qasje në transportin modern për më shumë se 350,000 njerëz. Koha e udhëtimit do të reduktohet, si dhe ndotja e ajrit dhe zhurmës.

Kontraktorë të rinj me të cilët janë nënshkruar kontratat në korrik të këtij viti janë “Shtrabag”, i cili duhet të vazhdojë dhe të ndërtojë pjesën e parë nga Kumanova në Belakovcë në vlerë prej 40.5 milionë euro dhe “Gjylermak” që do të punojë me 155 milionë euro në pjesën e dytë.

Në pjesën e parë të hekurudhës janë ndërtuar 54 për qind, ndërsa pjesa tjetër duhet të përfundojë brenda një viti e gjysmë deri në dy vjet. Për 34 kilometrat e fazës së dytë, afati është tre vjet. Për pjesën e tretë është duke u përgatitur dokumentacioni i tenderit dhe vlera e parashikuar për 24 kilometrat e planifikuara është 405 milionë euro.

Planet e institucioneve vendore janë që deri në vitin 2027 të përfundojnë krahun lindor hekurudhor të Korridorit 8, ndërsa atë perëndimor, ku duhet të ketë hekurudhë nga Kërçova në Lin, deri në vitin 2030.

Ndërtimi i hekurudhës drejt Bullgarisë ka filluar në vitin 1994, prej kur janë ndarë para nga buxhetet e shtetit deri në vitin 2004, kur për herë të parë u ndërprenë aktivitetet. Pas një ndalese gati dhjetëvjeçare të punimeve ndërtimore, në mars të vitit 2014 filloi rikonstruksioni i tuneleve dhe urave të ndërtuara dhe ndërtimi i seksioneve të reja në përputhje me projektin e seksionit të parë. Me marrëveshjen me kontraktorin e atëhershëm – gjerman “Vibe”, ishte paraparë që hekurudha të ndërtohej deri në shtator të vitit 2017, por për shkak të problemeve gjatë kryerjes së punëve, kryesisht të natyrës pronësore juridike, u nënshkrua ankesë me afat për ndërtim deri në shkurt të vitit 2020, pas së cilës në qershor të vitit 2020, punimet u ndërprenë me 54 për qind të përfunduara dhe shteti shpalli procedurë arbitrazhi. Në shkurt të vitit të kaluar, NP HM Infrastruktura, përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, shpalli tender të ri në të cilin kombinoi dy seksionet e para. Procedura e tenderit përfundoi me përzgjedhjen e kontraktorëve të rinj “Gylermak” dhe “Shtrabag” dhe nënshkrimin e kontratës në korrik të këtij viti./MIA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share