Berisha: Pedagogët po luftojnë për të mbrojtur universitetet, Rama shpenzon 300 mijë Euro për avion-taksi

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar pasditen e kësaj të hëne një takim me studentë. Kryedemokrati u shpreh se kryeministri Edi Rama ka 2-3 fishuar tarifat për studentët.

“Për ju u 2-3-fishuan tarifat dhe ju sot keni tarifa disa herë më të larta se sa një austriak në Austri familja e të cilit mund të marrë minimumi 7-10 herë më shumë se familja juaj. Ju paguani tarifa sot së paku 10 herë më shumë seç paguan gjermani në universitetet gjermane, ose sa paguan një shqiptar që shkon në universitetet gjermane. Tarifat që vendosi kjo qeveri për mijëra familje e bëjnë të pamundur të mbështesë fëmijën e dytë për në universitet. Pra, për të kufizuar dhe rënduar barrën për ata që ndjekin janë vendosur pengesa serioze. Janë dy vende me universitete të kushtueshme në Europë, Britania e Madhe dhe Holanda, por që të dyja, në proporcion me të ardhurat familjare, nuk janë më shtrenjtë se universitetet e Shqipërisë”, u shpreh Berisha

Gjatë fjalës së tij kreu i selisë blu hodhi akuza për kryeministrin Rama. Berisha tha se pedagogët luftojnë për të mbrojtur universitetet ndërsa Rama udhëton me avion-taksi 200-300 mijë euro udhëtim.

“Jemi në mes të një beteje. Pedagogët po luftojnë për të mbrojtur universitetet, për të mbrojtur të ardhmen e vendit. Sindikatat kanë bërë një thirrje dhe fatmirësisht ka një reagim shumë pozitiv. Këtyre sindikatave duhet t’u bashkëngjiten studentët në mënyrë të fuqishme. Çfarë keni ju më shumë se sa studentët në Kosovë të cilëve qeveria vetëm për krizën u dha 100 euro në muaj subvencion? Por shumë normale, sepse ti student me ato para që të jep familja sot, e ke biletën 2 herë më shtrenjtë për të lëvizur, e ke qiranë më të lartë, e merr litrin e vajit 3-4 mijë sot. Si të mos kujtohet t’ju ndihmojë ju, por udhëton me avion-taksi 200-300 mijë euro në udhëtim, në një kohë kur kryeministri i Austrisë udhëton me avion të linjave tregtare dhe ministrat në ‘economy class’, ndërsa ministrja e tij shkon dhe bën 15 rrugë për 15 mbledhje partie në Peshkopi me helikopter se nuk shkon dot me makinë. A mund të pranoni ju që një pedagog i juaj të marrë 4 herë më pak se shoferi i FSHZH. Kjo është e vërteta”, u shpreh Berisha./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share