PENDAROVSKI: GJENERATA TË TËRA PATRIOTËSH KANË LUFTUAR PËR REPUBLIKË TË LIRË
Ditën e Luftës Revolucionare Maqedonase sot e kanë shënuar organe shtetërore dhe partiake, duke rikujtuar se njerëz të guximshëm para 129 viteve e kanë filluar luftën për shtet të lirë maqedonas. Por edhe kjo datë historike kontestohet nga Bullgaria fqinje, ku mediat theksojnë “para 129 viteve u krijua organizata patriotike bullgare VMRO”.
Delegacioni qeveritar, përfaqësues të partive politike, të organizatave ushtarake, luftarake dhe të tjera, vendosën lule para përmendores së revolucionarit Goce Dellçev, në nder të Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase, 23 Tetori. Në urimin e Presidentit të Shtetit, Stevo Pendarovski, thuhet se kjo është ditë për kujtimin e luftës së gjeneratave.
“Në këtë ditë kujtojmë njerëzit e rinj të guximshëm, të cilët duke mos mundur të pajtohen me heqjen e rëndë të të drejtave të popullit maqedonas, në vitin 1893 e formuan Organizatën Revolucionare Maqedonase. Të frymëzar nga kjo ide, gjenerata të tëra patriotësh u kyçën në luftën e gjatë për republikë të lirë maqedonase, me idealet për drejtësi, liri dhe jetë dinjitoze për çdo burrë dhe grua, pavarësisht kombin, gjuhën dhe fenë”, deklaroi Presidenti i RMV-së Stevo Pendarovski.
Opozitarja VMRO-DPMNE, e cila rrënjët e saj i sheh në lëvizjen e para 129 viteve, sot ka organizuar simpozium shkencor, në të cilin historian’ja Natasha Kotllar theksoi se ideologjia e organizatës revolucinare maqedonase ka për detyrë ta përforcojë shtetin maqedonas dhe atributet e tij, të cilat janë nën kërcënim.
“Ato atribute në jetën tonë bashkëkohore janë vënë në pikëpyetje – ndërtimi i kombit maqedonas, mbrojtja e gjuhës maqedonase, mbrojtja e kulturës maqedonase, por gjithashtu edhe kujdesi për të gjithë ata maqedonas që nuk janë në korniza të shtetit maqedonas”, deklaroi Natasha Kotller, historiane.
Përpjekjet historike për çlirim të popullit maqedonas nga Perandoria Osmane dhe formimi i shtetit ende janë nën presionin dhe mohimin nga ana e shteteve fqinje. Datat, figurat historike, madje edhe emrin e organizatës, VMRO, Bullgaria i konsideron pjesë të historisë së saj.
“Më 23 tetor gjashtë bullgarë të rinj në Selanik i hodhën themelet e legjendares VMRO. Vetëm 10 vjet më vonë Organizata ngriti kryengritjen më të madhe të historisë bullgare – atë të Ilindenit dhe të Rilindjes” u shprehën nga BGNES.
Komisioni i përbashkët historik në mes Shkupit dhe Sofjes deri më tani nuk arriti t’i afrojë dallimet për ngjarjet deri nga fundi i shekullit 19 dhe fillimi i shekullit 20, ndërsa kontesti vazhdon të kërcënohet me pengesa në rrugën për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian./KlanMacedonia/
Gazetare: Biljana Georgievska