Prokuroria Themelore kërkon paraburgim për një 40-vjeçare nga Shkupi. Nga Prokuroria thonë se e njëjta ka përfituar para duke u paraqitur si punonjëse e Ministrisë së Bujqësisë dhe duke i premtuar një personi se do ta ndihmonte në përvetësimin e tokës shtetërore.
“E dyshuara, e cila edhe më parë ka qenë e dënuar dhe ndaj të cilës po zhvillohen procedura të tjera për vepra të ngjashme, është paraqitur në mënyrë të rreme si punonjëse e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, në detyrën nëpunëse.
Ajo e ka mashtruar një të dëmtuar duke i premtuar se si punonjëse e Ministrisë, me ndihmën e eprorit të saj, do ta ndihmonte në mënyrë të ligjshme që të merrte me qira tokën shtetërore të cilën ai e përdori për një kohë të gjatë.
Për shërbimin, në disa raste nga gushti e deri më tani, ajo i ka kërkuar dhe i ka marrë para në dorë, në vlerë të përgjithshme prej 210.474 denarë”, thonë nga Prokuroria.