Vendet europiane fikin dritat

Finlanda mbyll saunat, Lituania do të kursejë nën sloganin “fikni dritat dhe Putinin”

Kontinenti europian ka hyrë në kufizime drastike të energjisë në prag të dimrit që po troket. Masat e marra synojnë për të reduktuar varësinë nga importet ruse të energjisë dhe për të ruajtur furnizimet në rast se Moska ndërpret plotësisht furnizimet.

Në Danimarkë festa e Krishtlindjeve këtë vit nuk do të ketë zbukurimet e dikurshme. Autoritetet lokale në kryeqytetin danez Kopenhagen planifikojnë të shkurtojnë dritat e tyre të Krishtlindjeve, duke i ndezur ato vetëm ndërmjet orës 15:00 dhe 21:00. Ata shpresojnë të ulin konsumin e energjisë së dekoreve me 60% krahasuar me vitin e kaluar, si pjesë e një përpjekjeje të qeverisë për të kursyer karburant dhe energji elektrike në sektorin publik.

Më në veri, qeveria finlandeze u ka bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë përdorimin e saunave në një përpjekje për të kursyer energji. Si gjithmonë, finlandezët po përgatiten për një dimër të gjatë dhe të errët nordik. Kjo për shkak se qeveria në Helsinki ka nisur një fushatë që synon të inkurajojë të paktën 95% të familjeve finlandeze për të ulur përdorimin e energjisë elektrike gjatë kohës së pikut.

Në Francë dimri i këtij viti do të jetë edhe më i ftohtë për shkak se qeveria ka ndërmarrë masa drastike. Shtëpitë dhe zyrat ngrohen deri në maksimum 19°C,nuk do të ketë ujë të ngrohtë në ndërtesat publike, ndriçim në reklama brenda natës, do të ndalohen të gjitha bizneset që të përdorin ajër të kondicionuar.

Gjermania e varur shumë nga gazi dhe nafta ruse është goditur veçanërisht rëndë nga kriza energjetike e Evropës. Të gjitha monumentet publike të Berlinit, bashkitë, ndërtesat e administratës shtetërore, bibliotekat dhe muzetë mund të ndriçohen vetëm nga ora 16:00 deri në 22:00, duke i vendosur në errësirë të plotë institucionet publike.

Ndërsa pjesa tjetër e bllokut përpiqet të reduktojë varësinë nga importet ruse të energjisë, Hungaria ka arritur një marrëveshje të re me Moskën këtë verë. Hungarezët janë nxitur gjithashtu të ulin konsumin e gazit dhe energjisë elektrike.

Mes vendeve të tjera evropiane, Italia dhe Spanja synojnë që të kursejnë gjithashtu energji ku shkollat dhe bizneset do të duhet të mbajnë një temperaturë 18 gradë Celsius. Lituania, një aleat i Kievit, do të kursejë energji nën sloganin “Fikni dritat dhe Putinin” si pjesë e përpjekjes së saj për kursimin e energjisë dhe si një mënyrë për të mposhtur Presidentin rus Vladimir Putin.

Teksa Finlanda mbyll saunat, Suedia urdhëron mbylljen e kishave si pjesë e një përpjekjeje mbarëkombëtare për të kursyer energjinë. Peshkopët kanë shprehur mirëkuptim për situatën, por në të njëjtën kohë shqetësim pasi në periudhën e Krishtlindjeve ato do të mbeten bosh.

Klan News

Lexo gjithashtu

Kush është Liz Truss?

Si fëmijë, Liz Truss ka marshuar në demonstrata kundër atëbotë kryeministres konservatore, Margaret Thatcher. Në moshë të rritur,…
Më tepër
Total
0
Share