Giorgia Meloni betohet si Kryeministre e Italisë

Nacionalistja Giorgia Meloni është betuar si Kryeministrja e re e Italisë. Së bashku me të, përpara Presidentit të Italisë Sergio Mattarella u betuan edhe 24 ministrat e kabinetit qeveritar.

Pas betimit, Kryeministrja dhe të gjitha ministrat bënë foton zyrtare me kreun e shtetit italiane.

Giorgia Meloni mori edhe urimet e para nga ndërkombëtarët.

“Urime Giorgia Meloni në postin e Kryeministres së parë femër të Italisë. Le të punojmë bashkë për të mirën e Italisë dhe të BE-së. Ju pres në Këshillin Europian për të punuar së bashku për të mirën e Bashkimit Europian”, shkroi në Twitter Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

Sa i përket kabinetit qeveritar italian, Antonio Tajani do të drejtojë Ministrinë e Jashtme. Ish-kryetari i Parlamentit Europian, pjesë e Forza Italias, konsiderohet si një prej mbështetësve më të fortë të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Ai dhe Mateo Salvini do të mbajnë edhe postet e zv/Kryeministrit. Kreu i Lega Nord do të mbajë edhe portofolin e Ministrit të Infrastrukturës, duke shuar përfundimisht shpresat e rikthimit të tij si ministër i Brendshëm. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share