Trupat ruse dhe ukrainase përgatiten për një betejë të madhe për Khersonin

Trupat ruse dhe ukrainase duket se po përgatiten për një betejë të madhe për qytetin strategjik industrial port jugor të Khersonit, në një rajon të cilin presidenti rus Vladimir Putin e ka aneksuar në mënyrë të paligjshme dhe ku ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme.

Luftime dhe evakuime u njoftuan në rajonin e Khersonit ndërsa Moska vazhdoi sulmet me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës kritike.

Presidenti rus shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në rajonet Kherson, Luhansk, Donetsk dhe Zaporizhzhia të mërkurën në një përpjekje për të vendosur autoritetin rus në zonat e aneksuara, ndërsa përballet me pengesa në fushën e betejës, një mobilizim problematic trupash, kritika në rritje brenda dhe jashtë vendit dhe sanksione ndërkombëtare.

Statusi i paqartë i territorit të aneksuar në mënyrë të paligjshme ishte veçanërisht i dukshëm në kryeqytetin e rajonit Kherson, ku zyrtarët ushtarakë rusë kanë zëvendësuar udhëheqësit civilë të vendosur nga Kremlini, si pjesë e ligjit ushtarak që hyri në fuqi të enjten për t’u mbrojtur nga një kundërofensivë ukrainase.

Qyteti Kherson është më i madhi që Rusia ka nën kontroll në Ukrainë dhe është një objektiv kryesor për të dyja palët për shkak të industrive të tij kryesore dhe portit të madh lumor. Për muaj të tërë ka pasur raporte për sabotim dhe vrasje të zyrtarëve të instaluar nga Rusia në Kherson, në një nga lëvizjet më aktive të rezistencës ukrainase në territorin e pushtuar.

Zyrtarët e instaluar nga Rusia u kanë kërkuar banorëve që të evakuohen për sigurinë e tyre dhe të lejojnë ushtrinë të ndërtojë fortifikime.

Zyra e Presidentit Volodymyr Zelenskyy tha të enjten se forcat ukrainase kryen 15 sulme ndaj bastioneve ushtarake ruse në rajonin Kherson. Nga ana e tij, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë tha se forcat e Kremlinit zmbrapsën përpjekjet e Ukrainës për të avancuar me tanke në fshatrat Sukhanovo, Nova Kamianka dhe Chervonyi Yar të Khersonit.

Një zyrtar i instaluar nga Rusia në rajon, Vladimir Leontyev, tha të enjten se forcat ukrainase kishin ndërmarrë pesë sulme me raketa kundër digës Kakhovka dhe hidrocentralit rreth 70 km larg qytetit të Khersonit. Ai tha në televizionin rus se nëse objektet të shkatërroheshin, një ujësjellës kritik që siguron ujë për Krimenë e aneksuar do të ndërpritet.

Zoti Zelenskyy e hodhi poshtë këtë pretendim duke thënë se ishin rusët që kishin minuar digën dhe termocentralin, me plane për t’i hedhur në erë në atë që ai e quajti një akt terrorist për të lëshuar 18 milionë metra kub ujë dhe për të përmbytur Khersonin dhe dhjetëra zona ku jetojnë qindra mijëra njerëz. Ai i tha Këshillit Evropian se Rusia më pas do të fajësonte Ukrainën.

Asnjë nga pretendimet nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur./VOA

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share