Rama: “Hiqni njollën e turpit për raportin e Dick Marty”

LETËR 45 VENDEVE ANËTARE TË KiE

Kërkesa e Shqipërisë drejtuar Asamblesë Parlamentare të KiE për të amenduar rezolutën 1782 të 2011 pritet ende që të futet në procedurë shqyrtimi, por kryeministri Edi Rama pas fjalës së mbajtur në këtë organizëm javën e shkuar ka ndërmarrë hapin e radhës.

Ai ju është drejtuar me një letër të gjithë liderëve e vendeve anëtare të KiE për të marrë në konsideratë mbështetjen e kësaj iniciative jo thjeshtë si një çështje që i takon Shqipërisë, por drejtësisë dhe të drejtave të njeriut që po kërcënohen gjithmonë e më shumë në situatën aktuale politike.

“Çështja ka një rëndësi sipërore, jo vetëm për të mbrojtur të drejtat e individëve të akuzuar padrejtësisht për krime që nuk i kanë kryer kurrë. Ajo nuk ka thjesht të bëjë me mbrojtjen e procesit të rregullt ligjor përmes procedurave të gjykatës, një proces i rregullt që duhet të jetë i drejtë e i pa të meta. Por ka të bëjë me qytetarët e vendit tim, Shqipërisë, që vazhdojnë të jenë shënjestër e stereotipeve të rrezikshme e të pabaza si ky dhe viktima të armiqësisë e të ksenofobisë që akuza të tilla ushqejnë. Ka të bëjë gjithashtu me të vërtetën dhe drejtësinë, pa të cilat minohet vetë integriteti e besueshmëria e politikës ndërkombëtare dhe e institucioneve të saj”, shkruan Rama.

Edhe në letrën drejtuar krerëve të 45 vendeve shpjegon të gjithë rrjedhën që ndoqi që nga hartimi i raportit të Dick Marty-t bazuar në të pavërteta e deri tek fakti që sot 11 vite më vonë asgjë nuk është provuar përkundrazi janë rrëzuar çdo pretendim i padrejtë i asaj rezolute të instrumentalizuar nga Rusia.

“Nuk ka absolutisht asnjë provë, qoftë në Shqipëri a gjetkë në rajon, për nxjerrje dhe trafikim organesh, e cila do të mund t’i ngarkohej qoftë edhe një pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sado e çuditshme të duket kjo, nuk ka fakte, nuk ka autorë, nuk ka viktima të trafikimit të organeve njerëzore. Raporti dhe rezoluta që pasoi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës u mbështetën më tepër në spekulime sesa në fakte, në thashetheme që qarkullonin në vend të provave. Ato tanimë janë kthyer në një njollosje të pamerituar të atyre që janë akuzuar pa të drejtë dhe në një turp për politikën ndërkombëtare”, shkruan Kryeministri.

Sesioni i radhës së Asamblesë se KiE mblidhet në javën e tretë të Janarit dhe Shqipëria po lobon që të nisë procedura për korrigjimin e atij raporti  që për Edi Ramën do të ishte korrigjim i ndershëm dhe i domosdoshëm i një gabimi tragjik, pasojat e të cilit vazhdojnë të përndjekin Shqipërinë, por dhe Kosovën.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share