Osmani: RMV-së i duhet marrëveshje e re kornizë për BE-në

DËNOHET GJUHA E URREJTJES SË EURODEPUTETIT BULLGAR

Marrëveshje të re kornizë në mes partive politike, në këtë rast në mes pushtetit dhe opozitës, propozon shefi i diplomacisë Bujar Osmani,  me qëllim mbështetjen e procesit aderues drejt BE-së. Me trazira dhe bllokada të vazhdueshme në Kuvend nuk do të arrijmë, thekson Osmani. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, ka paralajmëruar lajme të mira nga Brukseli për solidaritet dhe ndihmë në periudhë të krizës ekonomikë për Ballkanin Perëndimor.

Me mirëkuptim për lëshimet e deritanishme në emër të hapjes së rrugës evropiane për Maqedoninë e Veriut, Zv/Kryeministrja e Sllovenisë, Tanja Fajon, e motivon vendin t’i përshpejtojë reformat, duke shtuar se viti 2030 është qëllim real për anëtarësim, nëse në RMV të gjithë bashkohen rreth këtij synimi.

“Ky është qëllim real në qoftë se të gjithë banorët janë në këtë rrugë. Sllovenia do ta mbështesë këtë rrugë. Fakt i këtillë është marrëveshja me Fronteks ku gjuha maqedonase do të jetë prioritet”, deklaroi Tanja Fajon, Ministre e Punëve të Jashtme, Slloveni.

Por, për unitet të vërtetë të të gjitha subjekteve politike për anëtarësim në BE, sipas shefit të diplomacisë, Bujar Osmani, do të nevojitet marrëveshje e fuqishme, përkundër pengesave dhe bllokadave aktuale në Kuvend.

“Neve na duhet marrëveshje e re kornizë, për BE-në, në të cilën partitë nga ciladoqoftë palë e skenës politike do të lidhin marrëveshje se do ta mbështesin njëra-tjetrën për çështjet për BE-në”,deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme, RMV.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar se do t`i dërgojë notë Bullgarisë, si reagim të deklaratave të Eurodeputetit bullgar Angel Xhambaski, për pretendime territoriale dhe gjuhën ofenduese dhe të urrejtjes kundër popullit maqedonas dhe bashkësive etnike. Gjuhën e këtillë të euroambasadorit bullgar e ka dënuar edhe Ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon./KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share