U vra 24 vjet më parë nga bashkëshorti, mbetjet e gruas gjenden në bahçen e një shtëpie

Mbetjet e Debbie Griggs, e cila u vra më shumë se 20 vjet më parë nga bashkëshorti i saj Andrew Griggs, u zbuluan në bahçen e pasme të një prone në St Leonards, në Dorset të Britanisë.

Debbie ishte 34 vjeçe dhe shtatzënë kur u denoncua e zhdukur nga shtëpia në Deal, nga bashkëshorti i saj në Maj të 1999.

Andrew Griggs mohoi të ishte përgjegjës për zhdukjen e saj, por u shpall fajtor për vrasje dhe u dënua me burgim të përjetshëm në Tetor të 2019-s.

Çështja u rihap Drejtoria e Krimeve të Rënda, e përbërë nga detektivët e Kent dhe Essex.

Ekspertët bënë gërmime në bahçen e pasme të një prone në  St Leonards, të Dorset më 5 Tetor të këtij viti. Ata gjetën mbetje njerëzore, përfshirë pjesë të dhëmbëve, që specialistët odontologë mundën që të konfirmonin se i përkisnin 34-vjeçares.

Policia tha se Andrew Griggs ishte zhvendosur në këtë pronë në Korrik të 2001-t, pasi ishin konkluduar hetimet paraprake për zhdukjen e Debbie.

“Bëhen më shumë se 20 vjet tashmë qëkur Debbie Griggs u vra nga bashkëshorti i saj dhe ne nuk e humbëm kurrë shpresën që të gjenim mbetjet e saj, që t’i jepnim një farë paqeje familjes së saj”, tha detektivi Neil Kimber.

“Andrew Griggs e mohoi përgjegjësinë e krimit, por ky zbulim është provë e mëtejshme se po gënjente gjatë gjithë kohës, duke u shkaktuar edhe më shumë dëm të gjithë atyre që e njohën dhe e donin Debbie-n”, shtoi ai.

Sipas asaj që shkruan The Independent, policia e Kent tha se tashmë do të kryhen teste të tjera për të përcaktuar shkakun e vdekjes dhe për të hetuar sesi përfunduan mbetjet e saj në bahçe./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share