ASH: Fëmijët tani e 44 ditë pa libra, MASH po shkatërron arsimin

Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët ditë më parë filloi një protestë virtuale për mungesën e librave në arsim, ndërsa sot nëpërmjet një konference për media akuzojnë Ministrinë e Arsimit për mungesë të librave. Gjendjen në të cilën ndodhen nxënësit nga ASH e cilësojnë kaotike dhe si pasojë e kësaj thonë se është rritur dhuna nëpër shkolla.

“Situata në klasa është kaotike! Mësues në ankth që vrapojnë me fleta nga fotokopja në fotokopje, ca libra të fotokopjuar që peshojnë aq sa është e ndaluar me ligj t’i mbajnë fëmijët, tekste të përkthyera keq, mungesë mësimi të mirëfilltë… e fëmijët?! Nxënësit?! Mësuesit ankohen që është rritur dhuna midis nxënësve në klasa! Është rritur abuzimi me drogë nga moshat e mitura! Video skandaloze që xhirohen nga fëmijēt! Dhe normal se në një shkollë në ankth, me çanta bosh, ka më shumë mundësi të ketë celularë, thika, cigare dhe jo në pak raste edhe drogë”, tha Arben Zeqiri nga ASH.

Ai shtoi se problemi me mungesën e librave nuk mund të quhet i vjetër pasi me vite Ministria e Arsimit udhëhiqet nga BDI.

“Ministri na qan hallin dhe na tregon se problemi i librave është i vjetër. Po! E dimë! Por ju kujtojmë se ka zgjedhje të vazhdueshme pikërisht për të zgjidhur problemet e vjetra! Ju z.ministër ndoshta nuk jeni shkaktari i këtyre problemeve por sigurisht që jeni një nga ata që po e thellojnë hallin! Rrogën e merrni nga taksat e popullit dhe populli nuk do një ciceron të veshur me kostum që i tregon si në muze se çfarë ka dhe sa i lashtë është problemi i librave”, tha Arben Zeqiri.

Ndryshe debati për mungesën e tekstëve shkollore i cili tani më ka kaluar edhe tek partitë politike nuk është duke arritur në një zgjidhje përfundimtare. Megjithatë, Ministri i  Arsimit Jeton Shaqiri siguron se tekstet shkollore do të jenë gati gjatë tetorit ose fillimit të nëntorit. Shaqiri njofton se sa më shpejt të jetë e mundur do të nis shtypja e teksteve shkollore  të cilët janë të miratuara nga Këshilli Kombëtar./ KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share