Rusia kryen sulme të reja në 40 qytete dhe qyteza ukrainase

KREMLINI PARALAJMËRON PËR LUFTËN E TRETË BOTERORE NËSE UKRAINA PRANOHET NE NATO

Rusia ka kryer sulme të reja në rajonin e kryeqytetit ukrainas dhe ka nisur sulme ajrore në qytetin jugor të Mikolajivit.Kremlini ka paralajmëruar  gjithashtu se do të ketë luftë të tretë botërore nëse Ukraina pranohet në NATO.

Raketat ruse goditën më shumë se 40 qytete dhe qyteza ukrainase. Sulmet e reja vijnë një ditë pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që e quan të paligjshme aneksimin e rajoneve ukrainase nga Rusia.

Guvernatori i Kievit, Oleksiy Kuleba, ka deklaruar  se sulmet janë kryer me dronë të prodhuar nga Irani, që njihen si dronë kamikazë. Sipas tij, ekipet e shpëtimit ndodhen në vendin e ngjarjes, por ende është e paqartë nëse ka viktima nga këto sulme. Në Mikolajiv gjatë natës është bombarduar një ndërtesë banimi, teksa luftimet po vazhdojnë në mbarë frontin jugor të Ukrainës.

“Një ndërtesë pesëkatëshe e banimit është goditur, dy katet e sipërme janë shkatërruar plotësisht, ndërkaq pjesa tjetër e ndërtesës është nën rrënoja. Ekipet e shpëtimit janë duke punuar në vendngjarje”, tha kryetari i Mikolajivit, Oleksandr Sienkovych, duke shtuar se ky qytet jugor ukrainas është bombarduar në mënyrë masive.

Rusia ka sulmuar edhe qytetin jugor të Nikopolit, ku një person është plagosur rëndë dhe mbi 30 ndërtesa, tubacione gazi dhe linja elektrike janë dëmtuar.Pasi  aleatët e Ukrainës kanë premtuar më shumë ndihmë ushtarake ka ardhur edhe reagimi i Rusisë.Moska përsëriti qëndrimin e saj se Perëndimi, duke ndihmuar Ukrainën, tregoi se ato janë një palë e drejtpërdrejtë në konflikt dhe paralajmëroi se pranimi i Ukrainës në NATO mund të shkaktojë Luftën e Tretë Botërore.

 “Kiev e di mirë se një hap i tillë do të nënkuptonte një përshkallëzim të garantuar në Luftën e Tretë Botërore”, tha zëvendës sekretari i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Alexander Venediktov, për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy njoftoi kërkesën për anëtarësim të shpejtë në aleancën ushtarake të NATO-s në fund të shtatorit, pasi presidenti rus Vladimir Putin mbajti një ceremoni në Moskë për të shpallur katër rajone ukrainase  si tokë të aneksuar ruse.

GAZETARE: XHUANA LIKA

PAMJET: REUTERS

Lexo gjithashtu
Total
0
Share