Tre të vdekur nga shpërthimi në urën e Krimesë

RUSIA ME AKUZA PËR TERRORIZËM

Tre persona humbën jetën pasi ura rrugore-hekurudhore që lidh Rusinë me Krimenë përmes ngushticës së Kerçit u shkatërrua nga shpërthim masiv.

Ata po udhëtonin me makinë, kur ura shpërtheu në orën 06 të mëngjesit dhe bëri që cisternat e naftës në seksionin hekurudhor të merrin flakë. Trupat e dy viktimave, një burri dhe një gruaje, tashmë janë nxjerrë nga uji.

Pamjet në vendngjarje tregojnë se fuqia e shpërthimit dëmtoi rëndë jo vetëm urën hekurudhore por edhe atë automobilistike. Ura, e ndërtuar me urdhër të Vladimir Putin në 2018 është kyç për të lëvizur pajisjet ushtarake në Ukrainë. Presidenti rus është informuar për shpërthimin dhe ka urdhëruar ngritjen e një komisioni për të kryer një hetim qeveritar.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës e krahason shpërthimin me fundosjen e një anije ruse në prill. Zëdhënësja e ministrisë së jashtme të Rusisë Maria Zakharova ka deklaruar se incidenti tregon natyrën terroriste që ka Kievi. Kreu i emëruar nga Rusia në Krime ka bërë apel për qetësi si dhe ka siguruar banorët se gadishulli i Krimesë ka rezerva të mjaftueshme të karburantit dhe ushqimit. Aktualisht qarkullimi në urë ëshë ndërprerë dhe kalimi i pasagjerëve dhe mallërave bëhet përmes trageteve.

Shkaqet ende nuk janë bërë të ditura por një numër teorish po qarkullojnë në shumë media se mund të jetë një akt sabotimi. Por sulmet në bazën ajore Saky dhe urat e Kerçit janë të gjitha pjesë e së njëjtës përpjekje për të minuar aftësinë e Rusisë për të përdorur Krimenë si pikënisje për luftën e saj në Ukrainën jugore. Pa ato, Moska do ta ketë edhe më të vështirë të dërgojë trupa dhe pajisje për të zmbrapsur ofensivën e Ukrainës në veri të Khersonit.

Një këshilltar i presidentit të Ukrainës Zelenskye ka quajtur dëmtimin e urës një “fillim”  por nuk ka marrë drejtpërdrejt përgjegjësinë e Ukrainës. Ndërkaq kundërofensiva ukrainase vijon në lindje dhe jug të vendit për çlirimin e territoreve. Rusia ka vënë në shënjestër Zaporizhzhia me dronë të mbushur me eksploziv për herë të parë , ndërsa numri i të vdekurve nga një sulm raketor u rrit në 17.  Autoritetet ukrainase kanë gjetur gjithashtu një tjetër varr masiv në qytetin lindor Lyman në Donetsk dhe mendohet se varri kishte 180 trupa.

GAZETARE: LIVIA KALLFA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share