Presidenti Joe Biden njoftoi të enjten veprime të reja ekzekutive që synojnë zbutjen e masave ligjore në Shtetet e Bashkuara për marihuanën, e cila është tashmë e ligjshme për përdorim mjekësor në 37 shtete dhe e disponueshme për përdorim vetjak në 19 shtete, në kryeqytetin Uashington dhe në Guam.
Me një mesazh të regjistruar filmik, Presidenti Biden tha se po njoftonte, nëpërmjet një urdhëri ekzekutiv, faljen e të gjitha shkeljeve të mëparshme federale për posedim marihuane. Kjo falje mund të ndikojë tek mbi 6500 amerikanë, u thanë gazetarëve zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë. Por, ata shtuan se shumica e dënimeve për marihuanën bëhen në nivel shteti. Për këtë arsye, Presidenti Biden u bëri thirrje guvernatorëve të japin falje për shkeljet në nivel shteti me posedim marihuane.
Gjithashtu, Presidenti Biden udhëzoi të enjten një rishikim federal të mënyrës se si marihuana trajtohet në legjislacionin federal. Aktualisht, kjo substancë klasifikohet nga DEA (Administrata Ligjzbatuese për Drogat) si një drogë e kategorisë I, ku përfshihen drogat që nuk kanë përdorim mjekësor dhe me potencial të lartë për abuzim, duke e vendosur kështu në të njëjtin nivel si heroinën dhe LSD-në.
“Siç thashë kur kandidova për president, askush nuk duhet të jetë në burg vetëm për përdorimin apo posedimin e marihuanës”, tha Presidenti Biden në një deklaratë. “Është e ligjshme në shumë shtete dhe të dhënat penale për posedim marihuane kanë krijuar pengesa të panevojshme për punësimin, strehimin dhe mundësitë për arsimim”.
“Dhe kjo është përpara se të merremi me pabarazinë racore se kush i vuan pasojat. Megjithëse të bardhët, afrikano-amerikanët dhe të tjerë me ngjyrë e përdorin marihuanën në nivele të ngjashme, afrikano-amerikanët dhe personat me ngjyrë arrestohen, hetohen dhe dënohen në nivele disproporcionale”.
Zyrtarë të lartë të administratës u thanë gazetarëve se presidenti ende mbështet kufizimet ndaj trafikimit, marketingut dhe shitjet për të miturit.
“Presidenti ka qenë i qartë se ligjet tona për marihuanën nuk po funksionojnë”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës. “Anëtarët e Kongresit kanë punuar për këtë çështje, por përpjekja është ndalur. Dhe jemi tashmë pothuajse në përfundim të mandatit të Kongresit. Prandaj, presidenti ka shqyrtuar opsionet që ka dhe po ndërmerr tashmë veprime ekzekutive për të trajtuar përqasjen e dështuar të vendit ndaj marihuanës”.
Drejtori ekzekutiv i NORML, një grup që lobon për legalizimin e marihuanës për të rriturit, tha se veprimet e administratës duhet të ishin ndërmarrë prej kohësh dhe presidenti duhet të bashkëpunojë me Kongresin për të vendosur rregulla për marihuanën të ngjashme me ato për alkoolin.
“Nga tani e tutje, administrata duhet të punojë me udhëheqjen e Kongresit për të shfuqizuar ligjet e dështuara të Amerikës për penalizimin e marihuanës”, tha Erik Altieri në deklaratë të dërguar me postën elektronike.
Që kur Kalifornia u bë shteti i parë që legalizoi marihuanën për përdorim mjekësor në vitin 1996, një numër gjithnjë e më në rritje amerikanësh kanë mbështetur dekriminalizimin e kësaj droge.
Vitin e kaluar, një anketim i kompanisë Gallup tregoi se mbi 2/3 e amerikanëve mbështesin legalizimin e marihuanës.
Megjithatë, Gallup raportoi se amerikanët janë të ndarë në pikëpamjet e tyre për efektin e marihuanës në shoqëri, me gati përqindje të barabarta të popullsisë që thonë se është negativ apo pozitiv. /VOA