Kurti takon drejtues të dy kompanive ndërkombëtare, mirëpret investime

Kryeministri i vendit, Albin Kurti bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Mjedisit, Planifikimin Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, takoi drejtues të kompanive “Selise” dhe “Capita”.

Kurti i falënderoi dy kompanitë dhe drejtuesit e tyre, për vizitën në Kosovë dhe për interesimin e tyre. Ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret investimet e huaja në vend dhe se angazhohet vazhdimisht për ofrimin e një klime sa më të përshtatshme për investitorët e jashtëm, njofton Klankosova.tv.

“Selise” është kompani ndërkombëtare në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit me 500 punonjës në mbarë botën. Kjo kompani këtë vit filloi operimin në Kosovë dhe tani po planifikon të rrisë numrin e të punësuarve për vitet në vijim.

“Në maj, Kryeministri Kurti dhe Kurt Weber, drejtues i bordit të kompanisë “Selise”, kishin nënshkruar në Cyrih një Memorandum të Bashkëpunimit për ngritjen e kapaciteteve njerëzore në sektorin e IT-së. Z. Weber ishte po ashtu sot në takim, së bashku me drejtorin ekzekutiv, Julian Weber dhe drejtorin e operimit, Bobby Leu” thuhet në kumtesën e Zyrës së Kryeministrit.

Kurse “CAPITA”, që në takimin e sotëm përfaqësohej nga dy drejtorë menaxhues, Christian Ecknauer dhe Hanspeter Wyss, është një nga ofruesit kryesorë evropianë të shërbimeve të jashtme, në fushën e transformimit digjital.

Në takim u bisedua për mundësinë e organizimit të një forumi ekonomik në Zvicër para Forumit Ekonomik Botëror, i cili mbahet në Davos në janar të vitit 2023.

Po ashtu, u diskutua edhe për ngritjen e kapaciteteve në Kosovë përmes Partneriteteve Publiko-Private dhe trajnimeve të vazhdueshme nga “Selise”.

Gjatë vizitës njëditore në Kosovë, përfaqësuesit e dy kompanive vizituan Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren. Ata u shprehën shumë të kënaqur për zhvillimin që është duke bërë parku.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share