21 tetori i ardhshëm mund të rezultojë të jetë një datë themelore për merkaton e futbollit. Në atë datë, në fakt, FIFA mund të miratojë një rregullore të re për punën e menaxherëve që duhet të hyjë në fuqi duke filluar nga 1 korriku 2023.
Pas liberalizimit të sektorit që mbërriti në vitin 2015, shkruan gazeta spanjolle Marca, organizata më e madhe botërore e futbollit duket se synon të arrijë tre objektiva me këtë rregullore të re: t’i japë fund komisioneve të tepërta, të mbrojë klubet që punojnë në trajnimin e lojtarëve të rinj dhe mbrojtja e të miturve. Sa i përket dy pikave të fundit, këto janë lajmet që vijnë:
Mbështetje stërvitore – Klubet që do të regjistrojnë lojtarët e rinj për tre vitet pas ditëlindjes së tyre të 15-të do të kenë automatikisht një pjesë të shumës së lidhur me transferimin e lojtarit përmes mjetit ‘Clearing House’.
Mbrojtja e të miturve – Çdo marrëveshje për përfaqësimin e një lojtari të mitur mund të përcaktohet vetëm në gjashtë muajt përpara se i mituri të mbushë moshën për nënshkrimin e kontratës së parë profesionale (në Europë pragu është 16 vjet).
E gjithë kjo, pra, duhet të bëhet me pëlqimin me shkrim të kujdestarit ligjor. Sanksioni për shkelësin mund të shkojë deri në pezullimin e licencës deri në dy vjet.
Natyrisht, shoqata “Forumi i Futbollit” e krijuar nga Mino Raiola dhe që tashmë drejtohet nga Jonathan Barnett, ka bërë të ditur se kërkon t’i bëjë thirrje të gjitha gjykatave të mundshme, sportive dhe jo sportive, për të bllokuar zbatimin e këtij projekti.