Australi: Autobusi i shkollës me 27 nxënëse përplaset me kamionin, rrotullohet 50 metra në një kodër

Një autobus në Australi është përplasur dhe është rrotulluar 50 metra poshtë një kodre. Brenda autobusit ndodheshin 27 nxënëse të një shkolle private, ku të gjitha vajzat u dërguan me urgjencë në spital.

Një vajzë adoleshente ndodhet në një gjendje të rëndë, ndërsa drejtuesi i kamionit me të cilin u përplas autobusi në një autostradë australiane ka pësuar lëndime të rënda.

Përplasja e tmerrshme ndodhi pasi autobusi goditi kamionin dhe doli nga rruga pranë kryqëzimit Condons Lane në Bacchus Marsh pak jashtë Melburnit në orën 3:15 të mëngjesit të sotëm.

Prindërve të studentëve të Kolegjit Loreto Ballarat iu kërkua nga policia të mos vizitonin vendin e aksidentit por të telefononin Komisariatin e Ballaratit në 03 5336 6000 për më shumë informacion.

Vajzat e tyre kishin pritur me padurim një udhëtim shkollor të vetëm, me autobusin që shkonte për në aeroportin e Melburnit. Ato do udhëtonin në SHBA për të vizituar kampin hapësinor të NASA-s në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida.

Të gjithë të përfshirë në aksident u dërguan në spital, ndërsa pamjet nga aksidenti ishin tepër dramatike ku shiheshin të gjitha valixhet e shpërndara nëpër kodër.

Sipas të dhënave ka vetëm të lënduar dhe jo viktima. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share