Shpërthejnë luftimet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë

Azerbajxhani dhe Armenia janë përfshirë në luftime intensive në kufi në orët e para të mëngjesit të së martës. Nga lufta mes tyre kanë mbetur të vrarë disa ushtarë.

Ministria e Mbrojtjes e Armenisë tha se Azerbajxhani filloi bombardimet intensive kundër pozicioneve ushtarake të Armenisë në drejtim të qyteteve Goris, Sok, Jermuk.

“Trupat e Azerbajxhanit përdorën dronë dhe artileri e armë zjarri të kalibrit të rëndë. Forcat e Armatosura të Armenisë nisën një ofensivë proporcionale”, deklaroi Ministria armene e Mbrojtjes.

Por Ministria azere e Mbrojtjes fajësoi palën armene për akte sulmi në shkallë të gjerë në rajonet Dashkesan, Kelbajar dhe Lachin pranë kufirit.

Sipas palës azere, ushtarët e tyre ishin nën zjarrin e artilerive dhe mortajave.

“Ka humbje të mëdha në radhët e ushtarëve azerë”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit.

Për herë të fundit dy vendet u përfshinë në luftë në vitin 2020 në rajonin e kontestuar Nagorno-Karabakh. Secila palë fajësoi njëra-tjetrën për luftimet. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share