Instagram po teston një opsion të ri që do i lejojë njerëzit të ripostojnë postimet e të tjerëve në profilin e tyre.
Në videon e postuar nga shefi i platformës sociale, Adam Mosseri, ai demonstron si përdoret opsioni i Arkivës, por kur hap profilin e tij, shihet një tabelë për “repost”, që ndodhet ngjitur me ndarjet e fotove, “reels” dhe etiketimeve.
Rrjeti social ka konfirmuar për “TechCrunch” se po planifikon të testojë butonin e ri me një numër të vogël përdoruesish. Sipas faqes, ky buton do të mbajë të gjitha postimet që përdoruesit kanë shpërndarë në llogaritë e tyre.
Shumë përdorues shpërndajnë postime në mesazhet private ose InstaStory, por nuk ka një mënyrë direkte për të ndarë postimin e një llogarie tjetër në profilin personal.
Aplikacione të palës së tretë ofrojnë këtë shërbim, por shtimi i opsionit do të shkurtonte nevojën e shkarkimit të njërit prej tyre./tvklan.al