BEKTESHI: MBËSHTETJE KOMPANIVE QË JANË NË TREGUN E LIRË
Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar Vendim për kushte të veçanta për tregtimin e mallrave individuale, sipas të cilit si kusht i veçantë në tregtinë në tregun e energjisë elektrike përcaktohet marzhi më i lartë tregtar, raporton Klan M.
Siç informoi sot në konferencë për media ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, marzhi më i lartë i tregtimit të energjisë elektrike për të gjitha kompanitë tregtare dhe tregtarët individualë që tregtojnë në tregun e energjisë elektrike me shumicë dhe pakicë është vendosur maksimalisht 10%.
“Kemi vendim që t`u dalim në ndihmë kompanive që janë në tregun e lirë, sa i përket furnizimit me energji elektrike dhe definuam marzhën të cilën ata mund ta implementojnë në momentin që bëjnë kontrata për furnizim me energji elektrike e cila nuk mund të jetë më shumë se 10 për qind, duke u referuar në çmimin e bursës HUPX (Hupex) e cila është bursë referente për Republikën e Maqedonisë së Veriut sa i përket energjisë elektrike” – deklaroi Bekteshi.
Ndërrmarje publike, shkolla dhe institucione të ndryshme publike në mënyrë të papërgjegjshme nuk kanë lidhur marrëveshje për tu furnizuar me rrymë elektrike dhe në këtë mënyrë po e rëndojnë buxhetin e shtetit në kohë kur vendi ballafaqohet me krizë energjitike, akuzon ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
“Për fat të keq një numër i konsiderueshëm i ndërrmarjeve publike dhe institucioneve publike pavarësisht nëse janë në kuadër të pushtetit lokal apo qendror, ende edhe pse jemi në muajin shtator nuk kanë lidhur marrëveshje për tu furnizuar me energji elektrike që në mënyrë automatike e rëndojnë buxhetin e të njëjtave institucione dhe në vend që ai buxhet të shfrytëzohet për përmirësimin e kualitetit të arsimit, për projekte infrastrukturore në kuadër të komunave dhe pushtetit qendror ai buxhet paguhet në mënyrë të papërgjegjshme nga drejtuesit e këtyre institucioneve për furnizim me energji elektrike” – deklaroi Bekteshi.
Marzha më e lartë tregtare prej 10% për energjinë elektrike do të zbatohet deri më 15 Prill të vitit 2023. /KlanMacedonia/
https://www.youtube.com/watch?v=pm-YEJFzRS4