Koncert në sheshin Skënderbej, Rama: Faleminderit kinge
Këngëtarja me famë botërore Rita Ora, e veshur me flamurin kuq e zi, ka elektrizuar skenën e sheshit Skënderbej. Me qindra qytetarë u mblodhën në shesh për të shijuar koncertin falas të këngëtares shqiptare në Tiranë.
Mbrëmja nisi me performancën e disa prej zërave më të dashur të publikut shqiptar, si Ronela Hajati, Semi Jaupaj dhe Kida. Por atmosfera e vërtetë u ndez kur në skenë doli Rita e shoqëruar nga një grup kërcimtarësh. Në pah dilte veshja e saj me ngjyrat e flamurit dhe shqiponja në mantelin e kuq.
Me rastin e shpalljes së Tiranës, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, Rita Ora interpretoi këngët më të njohura të repertorit të saj në prani të mijëra të rinjve që kishin mbushur sheshin.
Sakaq, Kryeministri Edi Rama ka falenderuar këngëtaren Rita Ora. Rama ndau në rrjetet sociale një fotografi nga performanca e yllit të muzikës që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, e lindur në Kosovë dhe ambasadore e UNICEF UK.
“Faleminderit kinge”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Mbrëmja u shijua jo vetëm nga qindra qytetarë që u mblodhën në shesh por dhe nga vetë Rita Ora e cila u shpreh falënderuese ndaj publikut shqiptar.
Klan News