EVN: Kompensimi për transmetim dhe distribuim ka ekzistuar gjithmonë

Në interes të informimit të saktë dhe të drejtë të publikut dhe veçanërisht të konsumatorëve tanë, duam të sqarojmë që sipas vendimit të fundit për çmimin e energjisë elektrike të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), i cili ka hyrë në fuqi më 01.07.2022, është veçuar pika për kompensim të transmetimit dhe distribuimit të energjisë elektrike të konsumuar për konsumatorët amvisëri të cilët furnizohen me energji elektrike në treg të rregulluar.

Gjegjësisht, pika për transmetimin dhe distribuimin e energjisë elektrike edhe deri më tani ka qenë pjesë e strukturës së faturës së energjisë elektrike, në mënyrë që ka qenë e integruar në vetë tarifat e energjisë, ndërsa tashmë me vendimin e ri të KRRE-së, e njejta ndahet si pikë e veçantë. Kështu, shuma përfundimtare e faturës për energjinë e konsumuar është e njëjtë pavarësisht nëse transmetimi dhe distribuimi janë të ndarë në pika të veçanta apo jo.

Tashmë me vendimin e ri të KRRE, konsumatorët kanë pasqyrë transparente në strukturën e plotë të faturave të tyre të energjisë elektrike. Këto ndryshime janë në përputhje me rregulloret evropiane për tregun e liberalizuar të energjisë elektrike, të cilat për shkak të transparencës së plotë rekomandojnë pika të veçanta për të gjitha tarifat në faturat për energjinë e konsumuar.

Konsumatorët e tjerë në vend të cilët furnizohen me energji elektrike në tregun e lirë, kanë pika të tilla të veçanta në faturat e tyre të energjisë elektrike që shumë më herët. Me këtë ndryshim gjithashtu u jepet mundësi edhe konsumatorëve që në rast të ndërrimit të furnizuesit, të kenë një pasqyrë të saktë se sa është tarifa e rrjetit për mirëmbajtjen e sistemit të MEPSO dhe Elektrodistribuimi dhe sa është energjia, e cila është gjithashtu një shumë e ndryshueshme në varësi nga çmimi aktual në treg.

Kompensimi për shfrytëzimin e sistemit të transmetimit dhe distribuimit fitohet si produkt i energjisë së konsumuar dhe tarifës për transmetim dhe distribuim sipas Vendimit të KRRE. Meqenëse EVN Home është një kompani e rregulluar, çdo tarifë në lidhje me energjinë elektrike përcaktohet nga KRRE. EVN Home nuk cakton çmim për asnjë artikull në faturat e energjisë elektrike.

Në linkun e mëposhtëm keni informacion për sistemin e ri tarifor dhe faturat edhe në shqip:

https://evn.mk/getdoc/e9afb59c-7a28-4bde-b300-88cc9498758d/Informacii-za-fakturi.aspx

Sa i përket humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e distribuimit të energjisë elektrike, duam të sqarojmë se nuk është e vërtetë që të gjitha humbjet e energjisë elektrike njihen dhe përfshihen në
çmimin e energjisë elektrike. Komisioni Rregullator për Energjetikë njeh vetëm një pjesë të humbjeve të vërteta të energjisë elektrike, ndërkohë që sasi të konsiderueshme të humbjeve të energjisë elektrike nuk njihen dhe drejtpërdrejt i ngarkohen kompanisë, e jo konsumatorëve. Theksojmë se në Ligjin për Energjetikë është përcaktuar se humbjet e energjisë elektrike njihen sipas planit të reduktimit të humbjeve të përgatitur nga kompania dhe të miratuar nga KRRE.

Megjithatë, në procedurën e miratimit të planit të reduktimit të humbjeve, KRRE asnjëherë nuk i pranoi humbjet aktuale të energjisë elektrike si vlerë fillestare që gradualisht zvogëlohet gjatë periudhës së përcaktuar nga plani. Gjithmonë merren vlera të nënvlerësuara, përkatësisht njihen vlera më të ulëta për më shumë se 2 pikë përqindje humbjesh, domethënë rreth 120 GWh në vit nuk njihen. Si rezultat, kompania përballet me shpenzime të mëdha që nuk njihen nga KRRE në tarifat e distribuimit të energjisë elektrike.

Këtë vit, Elektrodistribuimi prokuron humbjet e energjisë elektrike me një çmim prej 175 euro për MWh, që do të thotë se prokurimi i 120 GWh humbje të papranuara i kushton kompanisë mbi 20 milionë euro shpenzime të papanuara. Nëse të njëjtat sasi blihen me çmimet aktuale të tregut, atëherë humbja është disa herë më e madhe. Kjo paraqet një barrë të madhe financiare për kompaninë që ndikon drejtpërdrejt në kryerjen normale të veprimtarisë.

Në periudhën deri në vitin 2022, EVN arriti t’i zvogëlojë humbjet deri në nivel prej rreth 14%, që paraqet një ulje të madhe për shkak të aktiviteteve komplekse dhe investimeve të mëdha të kryera nga
kompania.

Niveli i humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin distributiv të energjisë elektrike në vitin 2006 ishte 28% e energjisë së hyrë në sistemin distributiv. Humbjet e energjisë elektrike përbëhen nga ato teknike dhe komerciale. Të parat ndodhin në vetë sistemin, domethënë energjia humbet gjatë vetë funksionimit të infrastrukturës energjetike dhe janë të pashmangshme, ndërsa komerciale janë vjedhjet e energjisë elektrike me të cilat po përballemi edhe sot.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share