Të paktën gjashtë persona kanë vdekur teksa po ngjiteshin në vullkanin më të lartë aktiv të Euroazisë në rajonin Kamchatka të Rusisë lindore. BBC shkruan se lajmi raportohet nga mediat lokale.
Mësohet se forcat e kërkim-shpëtimit nuk janë në gjendje të arrijnë gjashtë alpinistë të tjerë në vullkanin Klyuchevskaya Sopka për shkak të motit të keq.
Dy nga alpinistët besohet se janë strehuar në një kamp 3,300 metra mbi nivelin e detit dhe katër të tjerë në një tendë 4,000 metra mbi nivelin e detit.
Të gjithë alpinistët janë shtetas rusë.
Grupi prej 12 personash, i cili përfshinte 2 udhërrëfyes, filloi ngjitjen në majën 4,754 metra të lartë të martën.
Por katër ditë më vonë, të shtunën, katër alpinistë besohet se vdiqën menjëherë pas një rënieje nga rreth 4,000 metra. Dy të tjerë vdiqën pak më vonë.
Një nga udhërrëfyesit raportohet se ka thyer këmbën dhe gjendja e alpinistëve të mbetur nuk dihet ende.
Klyuchevskaya Sopka është pjesë e vullkaneve natyrore të Kamchatka, siti i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Vullkani konsiderohet i shenjtë nga disa komunitete indigjene./tvklan.al